12 shkurt 2007

'97-n nuk e bënë të huajt, por ne

Nga Bashkim Kopliku

[Gazeta Shqiptare, 12.02.2007, "Trazirat e vitit '97 s'i bënë të huajt, por ne"]

Gazeta Shqiptare botoi pjesë nga libri i dy anglezëve për "ngjarjet e '97-ës" (James Pettifer dhe Miranda Vikckers,) dhe reagimet (polemika) e z.Gëzim Zilja (ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës në vitin 1996-97).  Më shtynë shumë miq të shkruaj prapë për ngjarjet e '97 (kam qenë në atë kohë deputet, kryetar i komisionit parlamentar të ekonomisë etj., si dhe anëtar i kryesisë së PDSH)  Po shkruaj pa ndonjë dëshirë të madhe, sepse kam shkruar e folur me dhjetëra herë për ato ngjarje, e më krijohet përshtypja se shumë njerëz nuk duan t'i dëgjojnë të vërtetat, u pëlqen të gënjehen: po të kujtonin të vërtetat, do t'u vinte zor nga vetja, për ato që po bëjnë sot, qoftë thjesht me votën e tyre!.  Nejse, po i lë trajtimet e reagimit të njerëzve ndaj të vërtetës, dhe po merrem me të vërtetat.

Që në fillim duhet thënë, se ç'ka ngjarë në Shqipëri, e dimë ne shumë më mirë se dy anglezët, e libri i tyre ka vlera kryesisht për lexuesin e huaj, por edhe për atë shqiptar, kur flitet për reagimet jashtë shteti.  Natyrisht që libri ka edhe pasaktësi, por e përgjithshmja e asaj që shkruajnë qëndron.

Në këtë shkrim, do të citoj shpesh edhe z. Zilja, i cili është në të rrallët që nuk gënjen në faktet që sjell, pavarësisht se për disa gjëra hesht, apo nuk i shpie deri në fund, apo ndofta i ka parë me sy tjetër nga unë, megjithëse shpesh kemi qenë në të njëjtën sallë—natyrisht, interpretimin e fakteve, konkluzionet, i kemi shpesh të kundërta.  Është pasuri e rrallë një njeri që nuk gënjen, siç është z.Zilja, e prandaj i duhet dhënë respekti që meriton, nga shoqëria aktuale shqiptare.  Vendi është mbushur me njerëz që gënjejnë pa pikë turpi për '97-ën.  Nejse, mos të dalim nga tema.

E vërteta e parë, është se zullumet e '97-ës, nuk na i bënë të huajt, por i bëmë vetë.  I ka interesuar fajtorit kryesor, z. Berisha, ta përçojë këtë justifikim, "e bënë të huajt", sepse linte pa faj, edhe veten me shokë, nga njëra anë, dhe edhe z. Nano me shokë nga ana tjetër.

 

"Rebelim komunist i shtyrë nga agjencitë e shërbimeve të huaja sekrete?!"

Është kjo një nga deklaratat televizive të z. Berisha, kur ishte presidenti i vendit, e cituar edhe nga dy anglezët.

Por ne që e kemi jetuar atë kohë, e dimë mirë që jo vetëm e ka thënë "një herë në televizion", por është përsëritur me qindra herë në të gjithë "partinë", në PD-në, saqë arriti ta kthejë, atë që mbeti nga PD-ja, nga pro perëndimore, pro amerikane, në anti-perëndimore, anti-amerikane.

Viktima të kësaj larje truri, ranë edhe njerëz të ndershëm.  Në mes rreshtave, duket se viktimë e akuzës berishiste s, është edhe vetë z. Zilja, kur shkruan: "... ç'të mbetet për Shqipërinë e dashur, që për 15 vjet po endet sa andej këndej në kërkim të Perëndimit, që herë afrohet e herë largohet pa pyetur për dëshirat e vetë shqiptarëve."

Natyrisht që në Shqipërinë tonë të dashur, bëhet siç duam ne, siç i kemi dëshirat vetë ne shqiptarët, dhe aspak ashtu siç thonë e aludojnë berishistët, se gjithë të këqijat na i bëkan të huajt, e ne vetë jemi thjeshtë viktima.

Z.Zilja, citon gazetat greke të kohës, që vërtetë që një pjesë e tyre çnuk shkruanin.  Po pastaj, ç'influencë kishin këto në popullin e Vlorës, të Lushnjës, Fierit, Beratit, Tiranës, Shkodrës, Kuksit, Peshkopisë etj., që u ngritën në protesta ndaj qeverisë?!  Ato gazeta nuk i lexonte në Shqipëri.  Z. Zilja thotë se "Aleks Andoni, Arbër Qilimi, Zan Caushi e dhjetëra të tjerë zbritën nga Greqia dhe burgjet e Greqisë".  E pastaj?  Kush ua varte atyre këtu tek ne?  Ata këtu ishin dhe ikën.  U kthyen shumë vonë, kur zjarri kishte plasur, u kthyen se menduan se u bë deti kos e do të përfitonin diçka, por jo se ata ishin shkaku, apo organizatorët, apo shtyrësit e "rebelimit komunist".

Vetë z.Zilja, më 17.2.97, firmos një Rezolutë të Këshillit Bashkiak të Vlorës, ku kërkohej "Dorëheqje e qeverisë Meksi, si shkaktare kryesore e gjendjes [vini re: jo të huajt-sh.BK]", e më tej kërkohej që "të dalin para përgjegjësisë ligjore shkaktarët e gjakderdhjes së 9 shkurt 1997 në Vlorë".  Kishte një konsekuencë në veprimet e z. Zilja, i cili më 12.2.1997, kishte firmosur një peticion të "14 deputetëve" drejtuar Aktivit të Këshillit Kombëtar të PDSH, ku fajësohej po qeveria, e kërkoheshin ndryshime radikale.

 

Kronologji e ngjarjeve, pas zgjedhjeve lokale, e deri kur Ra Qeveria por u rizgjodh presidenti

Që të kuptohet naiviteti i pretendimeve të tilla, "se na e bënë të huajt", duhet t'i referohemi kronologjisë së ngjarjeve, ditë pas dite, e orë pas ore, dhe jo të projektohen në "një muaj", ngjarje të ndara shumë në kohë: është një marifet mashtrues që po përdoret rëndom për falsifikimin e historisë së '97-s.  Ja disa momente pikante, të ngjara para ardhjeve nga Greqia apo nga Italia, të "agjentëve", para se protestuesit të detyroheshin të armatoseshin.  Kjo kronologji mund të ndihmojnë lexuesin për të kuptuar, apo për të kujtuar, se ç'bëhej në atë kohë (shih bashkangjitur "Në fletë e ditarit të fajdeve, 1996-97").

Po përdorim këto shkurtime: f.f.=firma e fajdeve; p.a.f.=protesta anti-fajde; t.s.m.=takim në sallë të mbyllur; g.u.v.=Greva e Urisë e Studentëve në Vlorë; KPF=Komisioni Parlamentar i Fajdeve ("komisioni Pelingu"); KK=Këshilli Kombëtar; GSH=Gazeta Shqiptare; RD=Gazeta Rilindja Demokratike; AM=Aleksandër Meksi, kryeministri; BK=Bashkim Kopliku, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Financës dhe Privatizimit

Nga kjo kronologji, besoj se shihet intensiteti i protestave, dhe shtrirja e tyre në të gjithë vendin, "edhe në Jug, por edhe në Veri"—qeveria, praktikisht presidenti, thjeshtë po linin të merrte "flakë mirë" Shqipëria, pa dhënë dorëheqje njeri, deri sa plasi me armë, dhe dha dorëheqjen kryeministri—por jo presidenti Berisha, i cili priti të rizgjidhesh president.  Pra, Shqipërisë tashmë ia kishin vënë flakën shqiptarët, para se të arrinin "ata nga jashtë".  Radhë mund të gjendet në botën evropiane demokratike, një rast tjetër ku populli të provokohet kaq fort nga qeveria e vet

 

Të huajt tË Çorientuar

Dy anglezët në librin e tyre, e japin qartë mosorientimin e të huajve se ç'po ngjiste në Shqipëri.  Perëndimorët jo vetëm që nuk ishin organizatorët e protestave, por përkundrazi, ishin mbështetës të z.Berisha e qeverisë së PD-së.  Ata u distancuan vetëm pasi Shqipëria mori zjarr.  Por kjo temë është ndriçuar mjaft mirë nga "dy anglezët", prandaj nuk po zgjatemi në të.

 

SHIK, përralla që shiteshin në Athinë

Edhe SHIK (Shërbimi i Informacionit Kombëtar), organi i specializuar për të dokumentuar akuzën se "rebelimin komunist e shtynë agjencitë e shërbimeve të huaja sekrete", ka kontribuar që të përhapet një disinformacion i tillë në publik, por pa dhënë kurrë më të voglin argument.  Do të ishte mirë që të merrej e të botohej regjistrimi i seancës së Kuvendit, ajo e datës 1 mars 1997, kur z. Gazidede, shefi i kohës i SHIK, raportoi për arsyet e revoltave.  Asnjë fakt, asnjë e dhënë operative, vetëm citime librash që shiteshin në libraritë e Athinës, e që ishin shkruar nga qarqe shoviniste greke, por që nuk provonin asgjë nga sa akuzohej.

Po a kanë vepruar agjentura të huaja në Shqipëri?  Po, natyrisht që po, ato edhe sot veprojnë.  Por as ngjarjet e '97 nuk e kanë shkakun tek ato agjentura, dhe as këto të sotmet.  Shkaku i atyre që ngjajnë në Shqipëri jemi ne shqipot vetë, të cilët do t'i ndaja në katër grupe.  I pari, qeveria, presidenti e militantët e PD-së që donin me çdo kusht të mbanin pushtetin; i dyti, protestuesit që ishin të dëshpëruar nga humbja e parave si rezultat i mosmbrojtjes nga qeveria; i treti, hajdutët, mashtruesit, kriminelët, që donin të përfitonin duke djegur arshivat që ruanin krimet e tyre; i katërti, opozita, që donte të merrte pushtetin me çdo kusht.

Kur filluan të fabrikonin këto historitë me agjentura, me "zbulime të huajsh", u thosha me hidhërim kolegëve e miqve: "ne shohim të PD-së, të PS-së, si dhe hajdutë, mafjozë etj., por nuk shohim asnjë të "zbulimeve të huaja"!  Ku janë xhanëm këto që na komanduakan ne, që nuk ka Zot të na komandojë".

Bashkim Kopliku

7.2.2007