FMN-ja paralajmëroi me kohë për rrezikun e fajdeve
FMN-ja paralajmëroi me kohë për rrezikun e fajdeve
Nga Bashkim Kopliku
[Gazeta Shqiptare, 12-13.2.2007]
FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar) ka paralajmëruar për rrezikun e fajdeve, që në 1995, e vazhdimisht deri në kolapsin total të tyre. Por ky fakt është mohuar vazhdimisht nga fajtorët kryesorë të fajdeve, qeverisja e kohës, me në krye presidentin e kohës. Atyre u leverdiste të bënin bashkëfajtore edhe FMN-në, që të shpërndahej faji i tyre.
Për të kuptuar se si qëndron e vërteta me FMN, duhet të bëjmë një historik të shkurtër për lindjen e fajdeve tek ne.
Fillim i fajdeve dhe FMN-ja
Marrja e dhënia e parave me fajde filloi të përhapej që në fillim të vitit 1992, në formën e marrëdhënieve në mes personave të njohur, miq, komshinj, shokë, familjarë e farefis. Kështu, "një person që kishte para ua jepte borxh me interes personave të njohur që kishin nevojë për të investuar". Ekonomia private po zhvillohej me shpejtësi, kurse bankat dhe institucionet kredi-dhënëse ishin të gjitha shtetërore dhe të paafta për të dhënë kredi, apo nuk kishin vitalitetin e tregut privat. Pra vendit, ekonomisë i mungonte një infrastrukturë financiare.
Që nga viti 1992, e deri nga fundi i vitit 1994, fenomen i dhënies së parave me fajde, mbeti "në mes të njohurish", i shpërndarë në qindra e mijëra njerëz.. Numri i personave që jepnin para ishte shumë i madh dhe sasitë e parave për një person, ishin relativisht të vogla. Ishte një treg informal, por që siç thamë, po kompensonte mungesën e tregut privat të kredi-dhënies. Me kohë shumë persona panë se mund të merrnin lekë borxh, p.sh. me 3% në muaj dhe ta jepnin me 7% në muaj, duke fituar kështu 4%.
Gjatë kësaj periudhe (1993-94), unë isha zëvendëskryeministër i ngarkuar për reformën ekonomike. Shpesh kam biseduar për fenomenin e fajdesë, me përfaqësuesin e FMN-së në Shqipëri Wei Ding, me të cilin takohesh pothuaj përditë. Duhet thënë se Wei Ding ishte një gjeni i financës dhe ekonomisë, me njohje të thella teorike dhe praktike; ai ishte dhe një njeri i prirur që ekonomia e vendit të zhvillohej me shpejtësi, shpesh në kundërshtim me ndonjë qëndrim burokratik, edhe të shefave të tij në Uashington. FMN-ja ishte e njohur si një organizëm shumë i rreptë në zbatimin e rregullave thjeshtë financiare, mbase ndonjëherë edhe jo aq në përputhje me nevojën e zhvillimit të shpejtë të ekonomisë së vendit: pra i frynte kosit, meqë kishte eksperiencën e djegies nga qulli.
Të vijmë tek fajdetë. Mendimi ynë, i Wei Ding dhe imi, ishte se fenomeni nuk paraqiste problem të madh, përderisa kishte përmasa të vogla, si dhe meqë bëhej në mes të njohurish, gjë që kompensonte "alla shqiptarçe" garancitë bankare të nevojshme në dhënie-marrjen e parave borxh. Por gjithnjë kemi biseduar se fenomeni duhej mbajtur nën kontroll. Në fakt, që ato kohë filluan të shiheshin shenjat e para të agravimit të rrezikshëm të sëmundjes së fajdeve: kishte disa arratisje të personave që kishin marrë para me fajde, e nuk i lanin dot. Të dy ne ishim dakord se fenomeni ishte një e keqe që do të shmangej me krijimin e tregut kredi-dhënës privat. Kreditë e sistemit bankar shtetëror kishin rezultuar katastrofike, si rezultat edhe i ndërhyrjeve klienteliste politike. Nga ana tjetër, privatizimi i bankave pengohej edhe për arsye politike: ata që ishin bërë gati për të hapur banka private, ishin të lidhur me PS-në, dhe jo me PD-në. Ky ishte realiteti!
Pas humbjes së Referendumit të 1994 nga PD, nga mesi i vitit 1995, filluan të dalin firmat e para që jepnin e merrnin para me fajde ndër persona krejt të panjohur. Krimi e nuhati dobësimin e shtetit, nga humbja e Referendumit të vitit 1994 dhe nga Lindja e Idesë për ta mbajtur pushtetin me dhunë. Krimi nuhati se "politika nuk e ka mendjen tek ai" dhe krimi e ndjeu veten të lirë të veprojë. Në këtë periudhë filloi shqetësimi i organizmave ndërkombëtare dhe filluan përpjekjet e tyre këmbëngulëse për rregullimin e situatës.
FMN, masa drastike kundër fajdeve, që në fundin i viti 1995
Situatën e fajdeve tashmë e ndiqja si deputet dhe si shef i departamentit të ekonomisë të PD-sënuk isha më kryeministër, dhe Wei Ding i FMN-së, ishte transferuar nga Shqipëria. Sidoqoftë, nuk ishte më detyrë imja e përditshme, por e konstatoja se situata ndiqesh me këmbëngulje nga FMN. Bile, nga fundi i vitit 1995, delegacioni i FMN-së, e kishte lënë "me shkrim" marrjen e masave drastike për ndërprerjen e fenomenit, në të kundërt rrezikohesh ndërprerja e marrëdhënieve të FMN-së me shtetin tonë. Qe ky ultimatum, kjo këmbëngulje e FMN-së, që detyroi Kuvendin të miratojë Ligjin e ri për Bankën, nga fillimi i vitit 1996. Ky ligj ndalonte përfundimisht fajdetë, sepse ndalonte marrjen e parave borxh ne publik nga çdo lloj institucioni, përveç bankave të licencuara. Ligji i Bankës u aprovua, por Fajdetë vazhduan të zhvillohen pa i prekur njeri.
Kjo liri e thyerjes së ligjit justifikohej me shprehje të tipit "të mbarojnë zgjedhjet pa i rregullojmë". Fajdexhinjtë u bënë me më tepër bodigardë se Presidenti, filluan t'i merrnin me të mirë të gjithë politikanët e PD dhe PS. Nuk guxonte njeri t'i prekte se i mbronte edhe "Rilindja Demokratike" e PD, edhe "Zëri i Popullit" i PS. Natyrisht, FMN nuk urdhëron në Shqipëri, ajo vetëm këshillon, e nuk i do vënë faji asaj se ne shqipot nuk zbatojmë ligjin. Zgjedhjet e majit 1996 po afronin dhe kandidatët u lidhën ngushtë me firmat piramidale; e natyrisht më tepër kandidatët e partisë në pushtet, PD, se sa ata të PS. Krimi i serviloset më të fortit, e PD dukej më e forta. Natyrisht, për moszbatimin e ligjit mbante përgjegjësi Qeveria, që ngarkohej për ta zbatuar ligjin, e jo Banka e Shqipërisë, e cila sinjalizonte, por nuk ishte organ ekzekutiv dhe nuk kishte asnjë mundësi të vepronte kundër firmave piramidale, përveçse mos t'u jepte licencë banke. (Po e theksoj këtë fakt, që lexuesi të mos gënjehet nga zërat që ngarkojnë me faj që nuk i ka, Bankën e Shqipërisë. I vetmi faj që kishte është që nuk doli publikisht, që në fillim të vitit 1996, por doli vetëm "pas zgjedhjeve").
Zgjedhjet e 26 majit 1992, i fitoi PD-ja, me vjedhjen e madhe të tyre. Por asgjë nuk po bëhej për zbatimin e Ligjit për bankat. Fajdetë vazhdonin të bënin kërdinë. Përgatiteshin zgjedhjet lokale, të 20 tetor 1996, të cilat duheshin fituar "pa hile", se komuniteti ndërkombëtar e kishte marrë seriozisht të mos na lejonte të vidhnim më. Që votuesit të na jepnin votën, qeverisja e PD-së stimuloi në kulm aktivitetin e fajdeve. Por le të kthehemi tek FMN-ja, se këtu e kemi fjalën.
Organizmi që "u çmend fare me qeverinë tonë" ishte FMN-ja. Delegacionet e saj venin e vinin, por qeveria jonë veçse i sorollaste.
Ultimatumi i shtatorit 1996
Prapë një ultimatum i FMN-së i shtatorit të 1996. FMN i dërgoi një raport Qeverisë shqiptare, ku i kërkon të mbyllen me urgjencë fajdetë. Ky raport filloi të depërtojë në publik vetëm nga tetori i 1996-s, e bile u kritikua si teorik, si "kundërshtar i zhvillimit të vullshëm të ekonomisë dinamike shqiptare, edhe nga qarqe e institute shkencore, që i serviloseshin pushtetit politik. Në këtë raport kërkohej prerazi që shteti shqiptar të merrte masa kundër fajdeve, se përndryshe do të shkatërrohejkini parasysh se jemi disa muaj para fillimit të protestave anti-fajde, dhe kur fajdetë akoma nuk kishin arritur ato përmasa të tmerrshme që morën në tetor 1997, në prag të zgjedhjeve lokale.
Le të citojmë se ç'thuhej në raportin e FMN, të shtatorit të 1996.
"..Ka shumë pak të ngjarë që përqindje të tilla të dhëna nga institucione financiare jo zyrtare (firmat e fajdeve), të mund të realizohen vetëm nga veprimtari reale ekonomike dhe ka të ngjarë që pas tyre të ketë veprimtari ilegale, përfshirë [...] skemat piramidale".
Më tej: " kolapsi i skemave piramidale është i pashmangshëm dhe pasojat fiskale, për rrjedhojë ato makro-ekonomike, do të jenë tepër të ashpra". [...] Familjeve dhe ndoshta edhe disa bizneseve do t'u zhduken kursimet e tyre, gjë që do të rezultojë në një dëmtim të ndjeshëm të ekonomisë". [...] Qeveria duhet të nisë hetime zyrtare mbi këto skema [...] Ndryshe marrëdhëniet e FMN-së me Shqipërinë janë në pikëpyetje. [...] Kolapsi është në prag. [...] Do të jetë më mirë, në rast se kolapsi ndodh sa më shpejt, pasi humbjet do të jenë më të vogla. [...] Kur të përmbysen këto skema, ato do të thithnin edhe kursimet"
Më troç nuk mund të flitet, por njeri nuk vinte vesh.
Ministri lëpin paralajmërimin që u bëri shqiptarëve
Ministri i financave Ridvan Bode, kur u kthye nga Uashingtoni, ku ishte takuar me FMN-në, më 7 tetor 1996, doli në një intervistë televizive, dhe tha:
"Fitimet e ofruara janë aq të mëdha, saqë ato ngrenë dyshimet mbi kapacitetet e kompanive për të kthyer huat". [...] "Shumë shpejt ne do të përcaktojmë kontekstin ligjor për të mbikëqyrur këtë rrjet dhe për të zyrtarizuar atë, duke minimizuar rrezikun e falimentimit (potencial)"
Nga këto gjysma fjalësh, u çmend populli, por edhe qeverisja. E mbytën ministrin, që nga presidenti: "ky do të na humbë zgjedhjet lokale!". Të nesërmen z.Bode, si ushtar i bindur, doli prapë para publikut dhe lëpiu atë që kishte thënë, duke e "shpjeguar më mirë", duke e bërë zero paralajmërimin e tij të "një dite përpara":
"Më kanë keqkuptuar. Nuk ishte ai mesazhi që dëshiroja t'i transmetoja publikut. Intervista nuk është transmetuar e plotë", intervistë në këmbë".
Kjo u hapi rrugë firmave të fajdeve, që ta bënin ministrin aleatin më të fortë të tyre. Piramidalët morën revansh. Ja një kronikë e shkurtër e pasojave të lëpirjes së ministrit:
Më dt.. 8.10.96, Interesat e fajdeve shpallen në shtyp: 8 deri 25 përqind në muaj"; dt. 8.10.96, f.f. "Sudja": "Mos pyetni për FMN. Nesër do t'ju jap 6 përqind më shumë"; dt. 9.10.96, "Kamberi" e "Sudja" rrisin interesat në 10 dhe 16% në muaj!;
U sigurua që mos të dëgjohej porosia e FMN-së, dhe populli e fjeti mendjen: qeveria e siguroi se fajdetë janë të sigurta.
Paralajmërimet e FMN në nëntor 1996
FMN, edhe muajt në vijim, vazhdon të përpiqet, me delikatesën e mosurdhërimit të qeverive që asiston, t'i bëjë të reflektojnë qeveritarët tanë, por gjithnjë a i zëvendësuan ata, sepse kështu është mandati i FMN. Delegacioni i FMN ndenji disa ditë në Tiranë, bisedime sekrete me qeverinë. Kjo, gjatë javës së dytë e të katërt të nëntorit 1996.
Por ja reagimet e fajdexhinjve:
"Vefa," "FMN të na lërë rehat, nuk pastron dot as rrugët"
"Kamberi": "Këshillat e FMN kanë dështuar në lindje; Shqipërinë e bëjmë vetë"
Ja dhe reagimet e presidentit Berisha:
"Prononcimi për shtyp i presidencës mbron firmat: "firmat joformale kanë investime serioze në sektorë të rëndësishëm fitimprurës të ekonomisë"
Ja reagimi i ministrit të financave Bode, i cili kundërshton delegacionin e FMN, duke thënë se shteti është dorëjashtë në këtë aktivitet:
"Kur falimentojnë privatët, e mbajnë përgjegjësinë vetë privatë për mosmenaxhimin si duhet të aktivitetit të tyre"
Por ja dhe reagimet e vetë kryeministrit, pak më vonë, në një intervistë tek Gazeta Shqiptare, në prag të vitit të ri, më 29.12.96:
"Me një veprimtari të mirë investuese dhe prodhuese, ekziston mundësia që disa nga këto kompani [firmat e fajdeve-sh.BK] do të mund të vjelin aq të ardhura nga investimet sa për të kompensuar detyrimet ndaj depozituesve duke u konvertuar gradualisht në biznese normale"
Takimi im me FMN në prag tË Kolapsit
Në atë kohë, delegacioni i FMN më ftoi për "një darkë pune" në restorant Piaza. Unë isha shmangur nga ministria e financave nga takimi me taisha kryetar i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Financave dhe të Privatizimit!meqë unë isha kthyer në "armiku i partisë", sepse isha për masa drastike për fajdetë.
Anëtarët e delegacioni ishin krejt të prerë, ndjeheshin krejt të pafuqishëm, bile mundoheshin të mos gjenin ndonjë gjë racionale në qëndrimin e zyrtarëve shqiptar që kishin takuar, por ishte e kotë: "në Shqipëri nuk kishte përse të bënte vaki një çudi për herë të parë në botë?!"
Kërkuan mendimin tim, dhe ua dhashë prerazi: "Firmat piramidale duhen bllokuar, paratë u duhen shpërndarë njerëzve e së pari atyre që kanë futur nga pak, e që janë shumica, e pastaj duhen shitur të gjithë pasuritë e tyre dhe kthyer në para që edhe ato të shpërndahen. Nuk ka zgjidhje tjetër me situatën që vlon në popull. Në të kundërt, ka rrezik të shkatërrohet i gjithë vendi. ". Më shihnin të zgërlaqur, sikur donin të thoshin: "kjo qeveri nuk e bën këtë".
Mendoj se ata specialistë të financave të FMN-së, e kishin bërë të tyren, por ishte qeverisja shqiptare që nuk donte të dëgjonte. Megjithatë, FMN vazhdoi të bëjë presion mbi qeverisjen shqiptare për marrje masash për të shmangur kolapsin e plotë, por tashmë më kot: asnjeri nuk ia vinte veshin, relatat ishin pothuaj të prera.
Bashkim Kopliku
8.2.2007