12 shkurt 2007

FMN-ja paralajmëroi me kohë për rrezikun e fajdeve

FMN-ja paralajmëroi me kohë për rrezikun e fajdeve

Nga Bashkim Kopliku

[Gazeta Shqiptare, 12-13.2.2007]

FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar) ka paralajmëruar për rrezikun e fajdeve, që në 1995, e vazhdimisht deri në kolapsin total të tyre.  Por ky fakt është mohuar vazhdimisht nga fajtorët kryesorë të fajdeve, qeverisja e kohës, me në krye presidentin e kohës.  Atyre u leverdiste të bënin bashkëfajtore edhe FMN-në, që të shpërndahej faji i tyre.

Për të kuptuar se si qëndron e vërteta me FMN, duhet të bëjmë një historik të shkurtër për lindjen e fajdeve tek ne.

 

Fillim i fajdeve dhe FMN-ja

Marrja e dhënia e parave me fajde filloi të përhapej që në fillim të vitit 1992, në formën e marrëdhënieve në mes personave të njohur, miq, komshinj, shokë, familjarë e farefis.  Kështu, "një person që kishte para ua jepte borxh me interes personave të njohur që kishin nevojë për të investuar".  Ekonomia private po zhvillohej me shpejtësi, kurse bankat dhe institucionet kredi-dhënëse ishin të gjitha shtetërore dhe të paafta për të dhënë kredi, apo nuk kishin vitalitetin e tregut privat.  Pra vendit, ekonomisë i mungonte një infrastrukturë financiare.

Që nga viti 1992, e deri nga fundi i vitit 1994, fenomen i dhënies së parave me fajde, mbeti "në mes të njohurish", i shpërndarë në qindra e mijëra njerëz.. Numri i personave që jepnin para ishte shumë i madh dhe sasitë e parave për një person, ishin relativisht të vogla.  Ishte një treg informal, por që siç thamë, po kompensonte mungesën e tregut privat të kredi-dhënies.  Me kohë shumë persona panë se mund të merrnin lekë borxh, p.sh. me 3% në muaj dhe ta jepnin me 7% në muaj, duke fituar kështu 4%.

Gjatë kësaj periudhe (1993-94), unë isha zëvendëskryeministër i ngarkuar për reformën ekonomike.  Shpesh kam biseduar për fenomenin e fajdesë, me përfaqësuesin e FMN-së në Shqipëri Wei Ding, me të cilin takohesh pothuaj përditë.  Duhet thënë se Wei Ding ishte një gjeni i financës dhe ekonomisë, me njohje të thella teorike dhe praktike; ai ishte dhe një njeri i prirur që ekonomia e vendit të zhvillohej me shpejtësi, shpesh në kundërshtim me ndonjë qëndrim burokratik, edhe të shefave të tij në Uashington.  FMN-ja ishte e njohur si një organizëm shumë i rreptë në zbatimin e rregullave thjeshtë financiare, mbase ndonjëherë edhe jo aq në përputhje me nevojën e zhvillimit të shpejtë të ekonomisë së vendit: pra i frynte kosit, meqë kishte eksperiencën e djegies nga qulli. 

Të vijmë tek fajdetë.  Mendimi ynë, i Wei Ding dhe imi, ishte se fenomeni nuk paraqiste problem të madh, përderisa kishte përmasa të vogla, si dhe meqë bëhej në mes të njohurish, gjë që kompensonte "alla shqiptarçe" garancitë bankare të nevojshme në dhënie-marrjen e parave borxh.  Por gjithnjë kemi biseduar se fenomeni duhej mbajtur nën kontroll.  Në fakt, që ato kohë filluan të shiheshin shenjat e para të agravimit të rrezikshëm të sëmundjes së fajdeve: kishte disa arratisje të personave që kishin marrë para me fajde, e nuk i lanin dot.  Të dy ne ishim dakord se fenomeni ishte një e keqe që do të shmangej me krijimin e tregut kredi-dhënës privat.  Kreditë e sistemit bankar shtetëror kishin rezultuar katastrofike, si rezultat edhe i ndërhyrjeve klienteliste politike.  Nga ana tjetër, privatizimi i bankave pengohej edhe për arsye politike: ata që ishin bërë gati për të hapur banka private, ishin të lidhur me PS-në, dhe jo me PD-në.  Ky ishte realiteti!

Pas humbjes së Referendumit të 1994 nga PD, nga mesi i vitit 1995, filluan të dalin firmat e para që jepnin e merrnin para me fajde ndër persona krejt të panjohur. Krimi e nuhati dobësimin e shtetit, nga humbja e Referendumit të vitit 1994 dhe nga Lindja e Idesë për ta mbajtur pushtetin me dhunë. Krimi nuhati se "politika nuk e ka mendjen tek ai" dhe krimi e ndjeu veten të lirë të veprojë. Në këtë periudhë filloi shqetësimi i organizmave ndërkombëtare dhe filluan përpjekjet e tyre këmbëngulëse për rregullimin e situatës.

 

FMN, masa drastike kundër fajdeve, që në fundin i viti 1995

Situatën e fajdeve tashmë e ndiqja si deputet dhe si shef i departamentit të ekonomisë të PD-së—nuk isha më kryeministër, dhe Wei Ding i FMN-së, ishte transferuar nga Shqipëria.  Sidoqoftë, nuk ishte më detyrë imja e përditshme, por e konstatoja se situata ndiqesh me këmbëngulje nga FMN.  Bile, nga fundi i vitit 1995, delegacioni i FMN-së, e kishte lënë "me shkrim" marrjen e masave drastike për ndërprerjen e fenomenit, në të kundërt rrezikohesh ndërprerja e marrëdhënieve të FMN-së me shtetin tonë.  Qe ky ultimatum, kjo këmbëngulje e FMN-së, që detyroi Kuvendin të miratojë Ligjin e ri për Bankën, nga fillimi i vitit 1996.  Ky ligj ndalonte përfundimisht fajdetë, sepse ndalonte marrjen e parave borxh ne publik nga çdo lloj institucioni, përveç bankave të licencuara.  Ligji i Bankës u aprovua, por Fajdetë vazhduan të zhvillohen pa i prekur njeri.  

Kjo liri e thyerjes së ligjit justifikohej me shprehje të tipit "të mbarojnë zgjedhjet pa i rregullojmë".  Fajdexhinjtë u bënë me më tepër bodigardë se Presidenti, filluan t'i merrnin me të mirë të gjithë politikanët e PD dhe PS.  Nuk guxonte njeri t'i prekte se i mbronte edhe "Rilindja Demokratike" e PD, edhe "Zëri i Popullit" i PS.  Natyrisht, FMN nuk urdhëron në Shqipëri, ajo vetëm këshillon, e nuk i do vënë faji asaj se ne shqipot nuk zbatojmë ligjin.  Zgjedhjet e majit 1996 po afronin dhe kandidatët u lidhën ngushtë me firmat piramidale; e natyrisht më tepër kandidatët e partisë në pushtet, PD, se sa ata të PS.  Krimi i serviloset më të fortit, e PD dukej më e forta.  Natyrisht, për moszbatimin e ligjit mbante përgjegjësi Qeveria, që ngarkohej për ta zbatuar ligjin, e jo Banka e Shqipërisë, e cila sinjalizonte, por nuk ishte organ ekzekutiv dhe nuk kishte asnjë mundësi të vepronte kundër firmave piramidale, përveçse mos t'u jepte licencë banke.  (Po e theksoj këtë fakt, që lexuesi të mos gënjehet nga zërat që ngarkojnë me faj që nuk i ka, Bankën e Shqipërisë. I vetmi faj që kishte është që nuk doli publikisht, që në fillim të vitit 1996, por doli vetëm "pas zgjedhjeve").

Zgjedhjet e 26 majit 1992, i fitoi PD-ja, me vjedhjen e madhe të tyre.  Por asgjë nuk po bëhej për zbatimin e Ligjit për bankat.  Fajdetë vazhdonin të bënin kërdinë.  Përgatiteshin zgjedhjet lokale, të 20 tetor 1996, të cilat duheshin fituar "pa hile", se komuniteti ndërkombëtar e kishte marrë seriozisht të mos na lejonte të vidhnim më.  Që votuesit të na jepnin votën, qeverisja e PD-së stimuloi në kulm aktivitetin e fajdeve.  Por le të kthehemi tek FMN-ja, se këtu e kemi fjalën.

Organizmi që "u çmend fare me qeverinë tonë" ishte FMN-ja.  Delegacionet e saj venin e vinin, por qeveria jonë veçse i sorollaste.

 

Ultimatumi i shtatorit 1996

Prapë një ultimatum i FMN-së i shtatorit të 1996.  FMN i dërgoi një raport Qeverisë shqiptare, ku i kërkon të mbyllen me urgjencë fajdetë.  Ky raport filloi të depërtojë në publik vetëm nga tetori i 1996-s, e bile u kritikua si teorik, si "kundërshtar i zhvillimit të vullshëm të ekonomisë dinamike shqiptare, edhe nga qarqe e institute shkencore, që i serviloseshin pushtetit politik.  Në këtë raport kërkohej prerazi që shteti shqiptar të merrte masa kundër fajdeve, se përndryshe do të shkatërrohej—kini parasysh se jemi disa muaj para fillimit të protestave anti-fajde, dhe kur fajdetë akoma nuk kishin arritur ato përmasa të tmerrshme që morën në tetor 1997, në prag të zgjedhjeve lokale.

Le të citojmë se ç'thuhej në raportin e FMN, të shtatorit të 1996. 

 "..Ka shumë pak të ngjarë që përqindje të tilla të dhëna nga institucione financiare jo zyrtare (firmat e fajdeve), të mund të realizohen vetëm nga veprimtari reale ekonomike dhe ka të ngjarë që pas tyre të ketë veprimtari ilegale, përfshirë [...] skemat piramidale".  

Më tej: " kolapsi i skemave piramidale është i pashmangshëm dhe pasojat fiskale, për rrjedhojë ato makro-ekonomike, do të jenë tepër të ashpra". [...] Familjeve dhe ndoshta edhe disa bizneseve do t'u zhduken kursimet e tyre, gjë që do të rezultojë në një dëmtim të ndjeshëm të ekonomisë".  [...] Qeveria duhet të nisë hetime zyrtare mbi këto skema [...]  Ndryshe marrëdhëniet e FMN-së me Shqipërinë janë në pikëpyetje.  [...] Kolapsi është në prag.  [...]  Do të jetë më mirë, në rast se kolapsi ndodh sa më shpejt, pasi humbjet do të jenë më të vogla.  [...] Kur të përmbysen këto skema, ato do të thithnin edhe kursimet"

Më troç nuk mund të flitet, por njeri nuk vinte vesh. 

 

Ministri lëpin paralajmërimin që u bëri shqiptarëve

Ministri i financave Ridvan Bode, kur u kthye nga Uashingtoni, ku ishte takuar me FMN-në, më 7 tetor 1996, doli në një intervistë televizive, dhe tha:

"Fitimet e ofruara janë aq të mëdha, saqë ato ngrenë dyshimet mbi kapacitetet e kompanive për të kthyer huat". [...] "Shumë shpejt ne do të përcaktojmë kontekstin ligjor për të mbikëqyrur këtë rrjet dhe për të zyrtarizuar atë, duke minimizuar rrezikun e falimentimit (potencial)"

Nga këto gjysma fjalësh, u çmend populli, por edhe qeverisja.  E mbytën ministrin, që nga presidenti: "ky do të na humbë zgjedhjet lokale!".  Të nesërmen z.Bode, si ushtar i bindur, doli prapë para publikut dhe lëpiu atë që kishte thënë, duke e "shpjeguar më mirë", duke e bërë zero paralajmërimin e tij të "një dite përpara":

"Më kanë keqkuptuar.  Nuk ishte ai mesazhi që dëshiroja t'i transmetoja publikut.  Intervista nuk është transmetuar e plotë", intervistë në këmbë".

Kjo u hapi rrugë firmave të fajdeve, që ta bënin ministrin aleatin më të fortë të tyre. Piramidalët morën revansh.  Ja një kronikë e shkurtër e pasojave të lëpirjes së ministrit:

Më dt.. 8.10.96, Interesat e fajdeve shpallen në shtyp: 8 deri 25 përqind në muaj"; dt. 8.10.96, f.f. "Sudja": "Mos pyetni për FMN.  Nesër do t'ju jap 6 përqind më shumë"; dt. 9.10.96, "Kamberi" e "Sudja" rrisin interesat në 10 dhe 16% në muaj!;

U sigurua që mos të dëgjohej porosia e FMN-së, dhe populli e fjeti mendjen: qeveria e siguroi se fajdetë janë të sigurta.

 

 

Paralajmërimet e FMN në nëntor 1996

FMN, edhe muajt në vijim, vazhdon të përpiqet, me delikatesën e mosurdhërimit të qeverive që asiston, t'i bëjë të reflektojnë qeveritarët tanë, por gjithnjë a i zëvendësuan ata, sepse kështu është mandati i FMN.  Delegacioni i FMN ndenji disa ditë në Tiranë, bisedime sekrete me qeverinë.  Kjo, gjatë javës së dytë e të katërt të nëntorit 1996. 

Por ja reagimet e fajdexhinjve:

"Vefa," "FMN të na lërë rehat, nuk pastron dot as rrugët"

"Kamberi": "Këshillat e FMN kanë dështuar në lindje; Shqipërinë e bëjmë vetë"

Ja dhe reagimet e presidentit Berisha:

"Prononcimi për shtyp i presidencës mbron firmat: "firmat joformale kanë investime serioze në sektorë të rëndësishëm fitimprurës të ekonomisë"

Ja reagimi i ministrit të financave Bode, i cili kundërshton delegacionin e FMN, duke thënë se shteti është dorëjashtë në këtë aktivitet:

"Kur falimentojnë privatët, e mbajnë përgjegjësinë vetë privatë për mosmenaxhimin si duhet të aktivitetit të tyre"

Por ja dhe reagimet e vetë kryeministrit, pak më vonë, në një intervistë tek Gazeta Shqiptare, në prag të vitit të ri, më 29.12.96:

"Me një veprimtari të mirë investuese dhe prodhuese, ekziston mundësia që disa nga këto kompani [firmat e fajdeve-sh.BK] do të mund të vjelin aq të ardhura nga investimet sa për të kompensuar detyrimet ndaj depozituesve duke u konvertuar gradualisht në biznese normale"

 

Takimi im me FMN në prag tË Kolapsit

Në atë kohë, delegacioni i FMN më ftoi për "një darkë pune" në restorant Piaza.  Unë isha shmangur nga ministria e financave nga takimi me ta—isha kryetar i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Financave dhe të Privatizimit!—meqë unë isha kthyer në "armiku i partisë", sepse isha për masa drastike për fajdetë. 

Anëtarët e delegacioni ishin krejt të prerë, ndjeheshin krejt të pafuqishëm, bile mundoheshin të mos gjenin ndonjë gjë racionale në qëndrimin e zyrtarëve shqiptar që kishin takuar, por ishte e kotë: "në Shqipëri nuk kishte përse të bënte vaki një çudi për herë të parë në botë?!" 

Kërkuan mendimin tim, dhe ua dhashë prerazi: "Firmat piramidale duhen bllokuar, paratë u duhen shpërndarë njerëzve e së pari atyre që kanë futur nga pak, e që janë shumica, e pastaj duhen shitur të gjithë pasuritë e tyre dhe kthyer në para që edhe ato të shpërndahen.  Nuk ka zgjidhje tjetër me situatën që vlon në popull.  Në të kundërt, ka rrezik të shkatërrohet i gjithë vendi.  ".  Më shihnin të zgërlaqur, sikur donin të thoshin: "kjo qeveri nuk e bën këtë".

Mendoj se ata specialistë të financave të FMN-së, e kishin bërë të tyren, por ishte qeverisja shqiptare që nuk donte të dëgjonte.  Megjithatë, FMN vazhdoi të bëjë presion mbi qeverisjen shqiptare për marrje masash për të shmangur kolapsin e plotë, por tashmë më kot: asnjeri nuk ia vinte veshin, relatat ishin pothuaj të prera.

 

Bashkim Kopliku

8.2.2007

 

 

Në fletët e ditarit të fajdeve të 1996-97

Nga Bashkim Kopliku

[Gazeta Shqiptare, 12-13.02.2007]

Po përdorim këto shkurtime: f.f.=firma e fajdeve; p.a.f.=protesta anti-fajde; t.s.m.=takim në sallë të mbyllur; g.u.v.=Greva e Urisë e Studentëve në Vlorë; KPF=Komisioni Parlamentar i Fajdeve ("komisioni Pelingu"); KK=Këshilli Kombëtar; GSH=Gazeta Shqiptare; RD=Gazeta Rilindja Demokratike; AM=Aleksandër Meksi, kryeministri; BK=Bashkim Kopliku, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Financës dhe Privatizimit

 

Ø      Datë (dt.) 1.11.96, David Gentry, drejtor i Fondit Shqiptaro-Amerikan: "Fajdet i shpëton vetëm shteti, e jo investimet e tyre"

Ø      dt. 2.11.96, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jep rezultatin e zgjedhjeve lokale: PD fitoi 58 bashki (nga 64 gjithsej) dhe 267 bashki (nga 310 gjithsej)

Ø      dt. 3.11.96, Carlos Elbirt, përfaqesues i Bankës Botërore, "Paratë nuk rriten në pemë", "qeveria duhet të analizojë situatën, që i duhet stabilizimit të vendit"

Ø      dt. 5.11.96, f.f. "Xhaferi": radhë gjithë natën për të marrë paratë

Ø      dt. 8.11.96, ulet më tej depozitimi i parave në firmat e fajdeve, gjë që shtyn ato që të "konkurrojnë" ashpër, f.f. "Sudja arrin në 32% interesa për 55 ditë"

Ø      dt. 8.11.96, "Arkond" në gjyq: nuk paguan dot depozituesit, "jepet me 10-30% në muaj"

Ø      dt. 12.11.96, f.f."Sudja", "interesat 50% në muaj"

Ø      f.f. "Silva", "edhe 25% në sekondë"

Ø      dt. 12.11.96, Kamberi: "Këshillat e FMN kanë dështuar në lindje

Ø      Shqipërinë e bëjmë vetë"

Ø      dt. 14.11.96, Tek presidenti Berisha, kryetari, nënkryetarja dhe sekretarja e Komisionit Parlamentar për Ekonominë etj.,  BK, Ariana Nati dhe Albina Karamitro.  Presion për të krijuar një komision absurd për hetimin e fajdeve (KPF)

Ø      Kopliku nuk pranon, duke i parashtruar nevojën e masave qeveritare, dhe jo lojëra me komisione

Ø      dt. 15.11.96, Delegacioni i FMN vazhdon kontrollet në firmat rentiere: Vefa, "FMN të na lerë rahat, nuk pastron dot as rrugët"

Ø      dt. 15.11.96, Sude: Nuk ka më interesa kaq të larta

Ø      dt. 15.11.96, Delegacioni i FMN vazhdon kontrollet në firmat rentiere: Vefa, "FMN të na lerë rahat, nuk pastron dot as rrugët"

Ø      bisedimet me Qeverinë mbahen sekret.

Ø      dt. 16.11.96, Socialistët bojkotojnë Kuvendin

Ø      dt. 16.11.96, dt. Vlorë: f.f. "AGI", kreditorët i drejtohen presidentit Berisha për ndihmë: duan 100 mijë dollarët

Ø      dt. 19.11.96, Korçë, vetëm f.f. "Vefa", grumbullon deri 300 mijë dollarë në ditë, veprojnë edhe f.f. "Xhaferi", "Populli", "Kamberi" dhe "Gjoka"

Ø      dt. 20.11.96,  BK në kuvend: të merren masa urgjente për f.f. (botuar 21 në GSH etj.)

Ø      dt. 25.11.96, Takim i delegacionit të FMN dhe presidentit Berisha, prononcimi për shtyp i presidencës mbron firmat: "firmat joformale kanë investime serioze në sektorë të rëndësishëm fitimprurës të ekonomisë"

Ø      dt. 26.11.96, "Sude" ndërpret "përkohësisht" shpërndarjen e parave

Ø      dt. 26.11.96, Delegacioni i FMN ikën pa nënshkruar marrëveshjen me Qeverinë: nuk po merr masa për fenomenin e fajdeve

Ø      dt. 26.11.96, Në konf. e FMN, min. financave Bode, kundërshton delegacionin e FMN: "Kur falimentojnë privatët, e mbajnë përgjegjësinë vetë privatë për mosmenaxhimin si duhet të aktivitetit të tyre—shteti dorë jashtë"

Ø      dt. 28.11.96, f.f. "Silva", kundër FMN, "kam probleme me bitumin"

Ø      dt. 6.12.96, Intervistë e  BKt (GSH): "KPF është një pikë uji përballë ushtrisë që ka në dispozicion qeveria"

Ø      dt. 10.12.96, Leksion i ekspertëve të FBI për luftën e policisë shqiptare kundër fajdeve

Ø      dt. 18.12.96, BBC: BK kundër KPF: "nuk e zëvendëson dot qeverinë, që duhet te merret urgjentisht me fajdet"

Ø      dt. 18-19.26.96, f.f. "Sude" mashtron, nuk jep paratë, demonstrues tek presidenca

Ø      dt. 23-26.12.96, Vlorë: f.f. "Gjallica" çrregullime në pagesa, nuk shpërndan depozitat, vetëm interesat

Ø      dt. 28.12.96, Protesta kundër uljes së përqindjeve të interesit nga f.f. "Vefa" dhe "Kamberi"

Ø      dt. 29.12.96, Intervistë e AM (GSH): "Ekziston mundësia që disa nga këto kompani të kompensojnë detyrimet ndaj depozituesve"

Ø      dt. 3.1.97, f.f. "Gjallica" lajmëron mos shpërndarje parash deri më 15.1.97, shqetësime në Vlorë

Ø      dt. 3.1.97, f.f. "Kamberi" bën joshje me interesat: 10% në muaj

Ø      dt. 7.1.97, "Sude" Tiranë, bllokon shpërndarjen e parave

Ø      dt. 7.1.97, f.f. "Silva" ul përqindjet e interesave

Ø      dt. 10.1.97, Tiranë, p.a.f (protesta anti-fajde) tek "Sude", ndalime nga policia

Ø      dt. 10.1.97,  BK (GSH dt.11):"KPF është kot"

Ø      dt. 13.1.97, Banka Shqipërisë përgënjeshtron: asnjë firmë rentjere nuk ka bërë kërkesë për licencë për t'u bërë bankë

Ø      dt. 14.1.97, Tiranë, kryesia e PDSh përjashton nga grupi parlamentar Azem Hajdarin

Ø      dt. 16.1.97, Tiranë, falimenton f.f. "Sude", p.a.f., rrahje e demonstruesve, nuk lejohen për në sheshin Skënderbeu

Ø      dt. 15-16.1.97, Vlorë, p.a.f. para zyrave të Gjallicës, policia dhunon protestuesit

Ø      dt. 16.1.97, BK, intervistë GSH: "Fajin e ka qeveria për fajdetë", "Shteti ka forca për të përmirësuar ato që mund të përmirësohen"

Ø      dt. 17.1.97, Lushnjë, arrestohet Rrapush Xhaferri

Ø      dt. 18.1.97, Tiranë, aktivi pompoz i KK të PDSH, përzihet me dhunë Azem Hajdari, presione mbi zërat kundër fajdeve në sallë

Ø      dt. 18.1.97, RD, shkrim i Lunikut (guvernatori i Bankës së Shqipërisë) kundër fajdeve, RD

Ø      dt. 18.1.97, Vlorë, p.a.f. para shkollës Ali Demi

Ø      dt. 18.1.97, BK (GSH): "KPF shkel ligjin, raporton në KM pa raportuar në komisionin parlamentar"

Ø      dt. 19.1.97, Intervistë e BK: "të bllokohen të gjithë depozitat e firmave huamarrëse", jo vetëm të disave (fondacionet)"

Ø      dt. 19.1.97, AM (GSH): "KPF po studion fajdet"

Ø      dt. 19.1.97, Fier, p.a.f. e miting, vdes një protestues

Ø      dt. 19.1.97, Tiranë, p.a.f. shtypen nga policia, gjakosen rëndë demonstrues

Ø      dt. 23.1.97, BK (GSH): "fajdet aktivitet i paligjshëm", "qeveria duhet të mbronte popullin që mos të binte në grackën e fajdeve"

Ø      dt. 23.1.97, Kuvendi miraton kërkesën e ministrit të financave, Ridvan Bode, për ngrirjen e firmave piramidale, caktohen dënime me disa vjet për fajdexhinjtë

Ø      dt. 23.1.97, Durrës, protesta anti-fajde me fare pak njerëz

Ø      dt. 23.1.97, Tiranë, rrihet barbarisht analisti Edi Rama, nga "të panjohur"

Ø      dt. 26.1.97, Tiranë, p.a.f. të opozitës

Ø      dt. 27.1.97, Shkodër, p.a.f. [para prefekturës

Ø      dt. 28.1.97, në disa qytete, mitingje të PD-së, në mbështetje të qeverisë

Ø      dt. 28.1.97, Tiranë, krijohet "Forumi për Demokraci", me në krye Kurt Kola, Fatos Lubonja, Daut Gumenij etj., ku përfaqësoheshin "Shoqata e të Burgosurve Politikë" si dhe shtatë partitë e opozitës, PS, PAD, PSD, Lidhja e Legalitetit, PDD, PDR etj.

Ø      dt. 29-31.1.97, Vlorë, arrestime nga policia

Ø      dt. 5.2.97, Vlorë, deklarohet përfundimisht mbyllja e "Gjallica", p.a.f., demonstrata, të plagosur

Ø      dt. 6.2.97, mbreti Leka Zogu: deklaratë: qeveria e Berishës ka marrë fund

Ø      dt. 6.2.97, AM (GSH): "Kompanitë e fajdeve do të kthehen në shoqëri aksionere"

Ø      dt. 7.2.97, Vlorë, demonstrata ku marrin pjesë liderët e opozitës, Ceka, Gjinushi, pa arritur në Vlorë pengohen nga policia Rexhep Mejdani dhe Kurt Kola

Ø      sepse i bllokon policia pa arritur në Vlorë

Ø      dt. 8.2.97, rrihet opozita në shesh, Kastriot Islami etj.

Ø      dt. 8.2.97, Vlorë, intervistë e kryetarit të Bashkisë, z. Zilja, ku përgënjeshtrohen zërat se i kanë kërkuar dorëheqje, dhe ku thuhet se demonstratat janë paqësore

Ø      dt. 9-10.2.97, Vlora u gdhi e mbushur me forca të shumta policore të ardhura nga Tirana, të vendosura kryesisht gjatë bulevardit Vlorë-Skelë dhe në kryqëzime, ndalime, vritet Artur Rustemi

Ø      dt.10-11.2.97, Kuvend, hidhet poshtë kërkesa e qeverisë për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme

Ø      dt. 11.2.97, BK (GSH etj.) "nuk bie qeveria", "të bisedohet me vlonjatët, jo gjuhë dhune"

Ø      dt. 12.2.97, Tiranë, aktiv i KK të PDSh, paraqitet një promemorie e 14 anëtarëve të KK (përfshirë z. Zilja dhe mua,  BK)

Ø      dt. 12.2.97, Vlorë, arrestohet anëtari i kryesisë së PS Zabit Brokaj: ka udhëhequr protestat

Ø      dt. 14.1.97, presidenti Berisha i deklaron shtypit të huaj se gjendja është nën kontroll, dhe se protestat janë të pa organizuara

Ø      dt. 14.2.97, blidhet KK i PDSH, "të bisedohet me bazën e PD, dhe pas 4 ditësh të rimblidhet KK e të marrë vendime"

Ø      dt.14.2.97, Durrës, p.a.f.

Ø      dt. 14.2.97, Shkodër, p.a.f., akuzohet PAD

Ø      dt. 15.2.97, Mirditë, në Rrëshen: p.a.f.

Ø      dt.15.2.97, Himarë, p.a.f.

Ø      dt.16.2.97, Sarandë: protesta anti-fajde

Ø      dt. 17.2.97, Vlorë: Rezolutë e Këshillit Bashkiak, firmosur nga Gëzim Zilja, "dorëheqje e qeverisë si shkaktare kryesore e gjendjes ...", "qeveri teknike..", "zgjedhje të reja...", "depolitizimi i RTSH ...",  "të lirohen të ndaluarit e datës 9 shkurt ...", "para ligjit fajtorët ...", "mbështetje e kërkesave të studentëve të Universitetit të Vlorës ..."

Ø      "mosplotësimi i kërkesave të shpjerë në dorëheqjen e deputetëve të Vlorës"

Ø      dt. 17.2.97, Kuçovë, Prenjas, Vlorë, Fier, Tepelenë, Skarpar-Çorovodë: p.a.f.

Ø      dt. 18.2.97, Lushnë: takim në sallë të mbyllur (t.s.m) e presidenti Berisha pritet me p.a.f., premtimet: "zona turistike", "fermerët dy vjet pa taksa", "brenda vitit privatizimi i telekom, energjetikës etj.", dt. 20.2.97, Vlorë: nis greva e urisë e studentëve (g.u.v.)

Ø      dt. 20.2.97, Tiranë: miting p.a.f. në përvjetorin e rënies së bustit të E.Hoxhës

Ø      20.2.97, Korçë: t.s.m, AM: "fajin për fajdet e kanë depozituesit

Ø      ..."

Ø      21.2.97, Dibër: Berisha: "hartuesit e promemories karrigethyer", "kancelaritë evropiane mbështesin  trajtimin që po i bën qeveria fajdeve"

Ø      21.2.97, Vlorë: p.a.f. para VEFA

Ø      dt. 22.2.97, Shkodër: presidenti Berisha, t.s.m, nuk merr pjesë kryetari i bashkisë  Boriçi-premtimet "zonë e lirë"

Ø      dt. 22.2.97, Berat: Kryetari i grupit parlamentar të PD, A. Spahia, t.s.m.: "përgjegjës për piramidat ata të 14 të promemories

Ø      dt. 22.2.97

Ø      Mbledhje e kryesisë së PD Tiranë: Berisha: Të përjashtohen nga partia Dash Shehi, Tomor Malasi: polemika

Ø      dt. 24.2.97, Vlorë: sekretari i PDSH, Ferdinand Xhaferri tenton të takojë studentët e g.u.v. por nuk arrin

Ø      dt. 25.2.97, Tiranë: konferencë shtypi e amb. amerikane Mariza Lino: "zgjedhje të reja", "zgjedhja e presidentit bazuar në ligjin ekzistues, por unë nuk shkoj në Kuvend ditën e zgjedhjes së tij, 3.3.97"

Ø      dt. 25.2.97, Berat: presidenti Berisha, t.s.m., "distancoi PD-në nga dhunimi i Edi Ramës", "PD do t'u kthejë depozituesve 50 mijë dollarët që i ka marrë Gjallicës"

Ø      dt. 26.2.97, Vlorë: Miting solidariteti me studentët e g.u.v., me pjesëmarrje të së Djathtës së Bashkuar, Bahri Boriçi, kryetar i bashkisë së Shkodrës, e të tjerë, rrugës plagoset aktivisti i DB, Tanush Mulleti, ish-drejtor i burgjeve

Ø      dt. 27.2.97, Tiranë: KK i PD-së për kandidatin për president, propozojnë z.Berishën

Ø      dt. 27.2.97, Gjirokastër: grevë urie e disa studentëve të universitetit "Eqerem Çabej", si solidaritet me g.u.v.

Ø      dt. 27.2.97, Elbasan: peticion me qindra firma të studentëve të universitetit "Aleksandër Xhuvan", për solidaritet me g.u.v.

Ø      dt. 27.2.97, Durrës: nxënësit e gjimnazit "Gjergj Kastrioti" solidarizohet me g.u.v.

Ø      dt. 27.2.97, Kuvend: deputetët e PR dhe ata të Ballit, Godo, Selfo etj., bllokojnë pjesëmarrjen në seancë për mosdiskutimin e g.u.v.

Ø      dt. 28.2.97, vazhdon g.u.v., përfaqësia nuk lejohet në Ballsh

Ø      dt. 28.2.97, shpallet e paligjshme greva e studentëve në Vlorë, AM kishte bërë padi në gjykatë

Ø      dt. 28.2.97, Vlorë: armatosje e protestuesve, sulm natën i SHIK -luftime me armë- të vdekur, vriten oficerët Besnik Hidri

Ø      Lekë Çoku linçohet nga turma

Ø      dt. 1.3.97, Vlorë, të vdekur në spital në Vlorë (të SHIK-ut dhe protestues)

Ø      1.3.97, Dorëheqje e qeverisë Meksi

Ø      dt. 1.3.97, Kuvend, kryetari i SHIK raporton për gjendjen

Ø      dt. 2.3.97, Vlorë: varrim i viktimave të 28.1.97

Ø      dt. 2.3.97, dt. 2.3.97, Mesazh i Presidentit Berisha: "Rebelim komunist në Vlorë"

Ø      dt. 2.3.97, Kuvendi vendos gjendje të jashtëzakonshme

Ø      dt. 2-3.3.97, Digjet selia e gazetës Koha Jonë

Ø      dt. 2.3.97, Sarandë, pushtohet reparti ushtarak

Ø      dt. 3.3.97, Ambasadorja. amerikane Mariza Lino

Ø      ai italian Foresti: thirrje për qetësi

Ø      dt. 3.3.97, Kuvendi: Rizgjedh president Berishën.

Ø      dt.3.3.97, Vlorë, turmat morën arsenalet e armëve të ushtrisë dhe filluan të formojnë njësi të armatosura.

 

Bashkim Kopliku

7.02.2007