15 maj 2008

Agron Tufa: Shqipëria 1997 – përmbysje, puç apo revolucion?

Agron Tufa
Shqipëria 1997 – përmbysje, puç apo revolucion?

Nga Agron Tufa

Përtej së Mirës dhe së Keqes

Nëse do të jemi ndonjëherë në gjendje të shtrojmë një diskurs për të qenë, me rregullat, rendin, logjikën dhe shqetësimin e sinqertë për episodet tragjike të ’97-ës – jo për të gjetur fajtorët, që t’i ndëshkojmë pastaj - (pasi në vendin tonë fajtorët, në masën e krimeve që bëjnë, vetëmse harbojnë e harlisen mu si bimët e helmët në humus mëkatar) – pra, nëse ndonjëherë do të kemi në dorë studime gjakftohta, të pastruara nga mllefet regjionare, religjioze dhe majtas-djathtas – atëherë, po, - rikuptimësimi i përvojës mund t’i nënshtrohet idiomës së njohur kuptimore “mësim i historisë”.

Por kjo, e di, është shumë, dhe jam i pasigurt, për faktin e thjeshtë se “pësime” të tilla në historinë tonë politike, shoqërore, etnike dhe kulturore nuk janë shndërruar në “mësime”, qoftë edhe për një periudhë të vetme. Nga kjo pikëpamje ne jemi ndëshkuar gjithnjë e më egër. Dhe paftësia apo mosdashja për të nxënë dhe rikuptimësuar përvojat e hidhura, mund të na ndëshkojë akoma më egërsisht. Kjo ligjësi fatale është ngulitur kaq keq në mendësinë shqiptare, sa që ka përcaktuar edhe karakterin e papërgjegjshëm të sjelljes tonë në histori, paradokset e thella, nonsensin dhe sidomos inkoherencën midis periudhave, kontradiksionin e kohërave, mungesën e lidhjeve midis brezave, ndërprerjen dhe tëhuajësimin midis traditave dhe refuzimin e marrëveshjes kolektive në pranimin e përbashkët të nocionit të së Mirës dhe së Keqes.

Nisur nga disa shkrime diskursive që kam patur në shtyp ose ekran, kam ndeshur me një reagim tipik bashkëkohor të inteligjencies shqiptare, kryesisht ndaj gjykimeve të mia të natyrës shoqërore, religjioze, historike apo shoqërore. As më ka shkuar ndërmend ta perceptoj veten si engjëll perëndie dhe Zoti na ndjeftë për gabimet e panumërta që bëjmë padashje nëpërmjet shkrimit dhe gjykimeve tona! Por po flas për një kahje të përcaktuar që orienton kompromisin shqiptar – kompromisin me të keqen. “Ju edhe mund të keni të drejtë në shtrimin e çështjes, por jeni shumë i ashpër, i hidhur, radikal dhe ekstremist” – ky pak a shumë është vlerësimi i një pjese opinionformuesish. Jam përpjekur seriozisht t’i kuptoj drejtë këta kritizerë të përkëdhelur të shtypit, pa i paragjykuar nga rrogat e majme dhe dhjami i kompromisit në fytyrë. Dhe kam kuptuar më në fund se veshët e tyre janë të ndjeshëm ndaj tingujve therës, ngritjes së regjistrit stilistik dhe, sidomos, kundër përvijimit të qartë të mendimit dhe qëndrimeve. Në thelb, predikimi i tyre është kompromisi, më saktë, kompromisi i së Mirës me të Keqen”.

Produkte të këtij kompromisi i kemi në parlament, pushtet qeverisës, aministratë publike dhe OJQ/QJF - në përgjithësi, në mbarë shtypin tonë me mëditje. Nuk është nevoja t’ia nënshtrosh këkimin procedurave verifikuese, për të kuptuar, mandej, se me çfarë çmimi e kanë arritur kompromisin elitat tona: pabesitë, aktet e thella gjynahqare, pazarllëqet dhe hipokrizitë janë të vetmet kategori morale që e përligjin filozofinë e bashkëjetesës së të Mirës me të Keqen. Por për një shoqëri të inkriminuar historikisht, si e jona dhe të hermetizuar nga sekte interesash, mendoj se ndarja e qartë midis së Mirës dhe së Keqes duhet artikuluar fort, përndryshe, herëdokur, do të kemi mbërritur në atë pikë ku nuk do të dimë më të dallojmë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë e gënjeshtërt. Por nocionet kuptimore “radikal” dhe “ekstremist” gjysmëintelektualët shqiptarë i veshin me të tjera rroba, ngase në ligjërimin e tyre monoton, të gjinisë asnjëanëse, të matur, kumbojnë përllogaritje meskine personale, jo ritmi i ankthit tonë kolektiv.

Sipas kritizerëve të shtypit, për një moment, e llogarita veten “ekstremist”; në akord me këtë logjikë, mëngjesin më të parë kam dalë nga shtëpia me një revolver në xhep dhe kërkoj, fjala vjen, Ramiz Alinë, Aranit Çelën, Nevzat Haznedarin, Skënder Gjinushin, apo fytyra të tjera kriminale ish-komunistësh që videot m’i nxjerrin në krye të turrmave që djegin dhe shkatërrojnë Vlorën. Pasi ta kem shkrehur revolverin, i bie të ndjehem në harmoni të plotë me “ekstremizmin” tim. Atëherë, menjëmend do të isha ekstremist!

Megjithatë “ekstremizmi” apo “radikalizmi” im përqëndrohet i reduktuar në predikimin, i cili thotë: “Mos e përzieni të Mirën me të Keqen se ato bashkëpunojnë. Bashkëpunimi i tyre sjell këtë situatë qorrsokaku ku jemi. Sepse edhe në mes të kënetës, duhen ruajtur ca rrjedha uji të pastër, për të patur një model mbi ujin”. Në ndryshim nga ekstremizmi i sekteve të shtypit, i ashtuquajturi “ekstremizmi im” (dhe i kujtdo bashkëmendimtari tjetër), nuk ka shkelur nëpër kufoma, nuk ka shkelur mbi lotë, fatkeqësi, hidhërime dhe, më së mbrami, kopromisi i tyre s’ka pse të merret njësi matëse as për moralin individual, as për atë shoqëror. Madje ata hiqen ta shesin kompromisin e tyre si moral që shtrihet, siç ka thënë filozofi, përtej nocioneve të së Mirës dhe së Keqes. Po pse ta ndërlikojmë kaq shumë moralin e tyre? Themi thjesht: përtej së Mirës.

Ja disa kategori të këtij morali që strukturuan përbërjen e Revolucionit terroristo-bolshevik të vitit 1997.

Turma

Në të gjitha revoltat e ’97 (nëse marrim shembull epiqendrën e tyre në jug, qytetin e Vlorës), protestuesit ishin, si të thuash, sicili lider dhe të gjithë i bashkonte parrulla “Duam paratë tona!”. Megjithatë, pas 5-6 ditësh gradualisht, këta protestues u bënë më agresivë; ata nuk i qetësonin më as takimet, përgjithësisht të ngathëta e shterpe me ministrat e qeverisë Berisha, as deklaratat e kryeministrit dhe Presidentit, as formulat e premtuara e të stërvonuara për zgjidhjen e krizës.

Përkundrazi, agresiviteti i protestuesve filloi të rritej dhe, në mitingjet paqësore po shfaqeshin tendencat e grupimeve të caktuara për ndryshimin e drejtimit – nga protesta në revoltë. Kjo dukej qartë sepse protestuesit paqësorë, dalëngadalë po kalonin në rresht të pestë e të gjashtë, ndërsa zyrtarët dhe militantët e PD-së shaheshin e goditeshin nga elementë të dhunshëm. Një “dorë e padukshme” kujdesej që gjithmonë në krye të turrmave të ishin fëmijët, gratë, adoleshentët. Në rresht të dytë e të tretë – hajdutët, ish-oficerët ekstremistë, ithtarë të enver Hoxhës, të liruar nga reforma në ushtrinë e deideologjizuar. Në rresht të katërt vinin militantët e porositur të opozitës socialiste dhe në fund fare, njerëzit që protestonin qetësisht e që realisht kishin humbur paratë .

Me daljen e liderit, numri i tyre prej disa mijëra në dhjetra mijëra, ndryshon drejtimi i parrullave dhe lëvizjet do të jenë të programuara. Parrulla “Duam paratë tona!”, u zëvendësua me “Qeveri hajdute!”, “Poshtë qeveria!”, “Poshtë Presidenti!”, “Deputetët e Vlorës në litar!”, “Deputetët e Vlorës të japin dorëheqjen!”, “Duam zgjedhje të reja!” etj, - kërkesa këto me karakter të qartë politik. Koka e turmës do të bëhej çdo ditë e më agresive. Ajo e drejtonte turrmën në akte vandale kryesisht kundër institucioneve, në djegjen e Bashkisë, Prefekturës, Komisariatit, Bibliotekës, Gjykatës, Portit detar dhe, sapo shpalli komitetin e saj, urdhëroi pezullimin dhe mbylljen e të gjitha institucioneve.

Thirrjes: “Kush kalon në trotuar, është spiun, është tradhëtar!” bënin që njerëzit detyrimisht të futeshin e të fshiheshin në turrmë. Përndryshe, nëse dikush lëviz ndaraz nga turrma, gishti i saj drejtohej me thirrjen: “SHIK-u, SHIK-u!”, derisa turrma derdhej mbi ta dhe i masakronte. Grupime të zgjedhura me nga 10-20 vetë, naziskinë të vërtetë, që digjnin e shkatërronin dyqanet, restorantet dhe bizneset e demokratëve apo vinin eksploziv në shtëpitë e aktivistëve të PD-së. Skena të tilla terrori i kanë dhënë shpesh stacionet e huaja televizive. “Forumi për Demokraci” që udhëhiqte turmën e rebeluar, shpallte çdo mbrëmje me zë të lartë në Sheshin e Flamurit ku mblidheshin demonstruesit, lista të gjata emrash demokratë të dënuar me vdekje “në emër të popullit”. Përfaqësuesve të qeverisë u ndalohej të hynin në qytet, ndryshe masakroheshin. E njëjta situatë u përhap në të gjitha qytetet e Jugut. Në këtë pikë, turma e kishte mundur dhe likuiduar popullin.

Përtej parrullave

Zëvendësimi i parrullës “Duam paratë tona” me parrulla politike, kërcënuese e raciste për dorëzimin e pushtetit, aktet vandale, krimet - e bënë të padobishme kundërvënien e makinës policore të shtetit. Ajo dështoi plotësisht, edhe pse e armatosur me avionë, helikopterë, autoblinda, policë e kontigjent ushtrie. Rrugët nacionale në gjithë jugun qenë në dorë të kryengritësve. Vërtetohet në këtë rast shqiptar më së miri ligjësia e vërejtur nga Curzio Malaparte, se që nga “Përbetimi i Katlinës” e deri tek “18 Brymeri” i Napoleonit, grusht shteti i Cap-it në Gjermani, grusht shteti i Musolinit në Itali, apo grusht shteti i Lev Trockit në Tetor 1917.

Sipas C. Malapartes problemi i marrjes apo i mbrojtjes së shtetit nuk është problem politik, por është problem teknik . Edhe burokracia e Berishës në 1997 bëri gabimin tradicional që e reduktoi mbrojtjen e shtetit në marrjen e masave vetëm policore. Ato ishin, siç rezultoi, të pamjaftueshme, sikundër do të ishin po kaq të gabuara masat diktatoriale. Ishte e qartë që rebelimi i ’97-ës ishte futur dhe shfrytëzuar brenda një skeme të marrjes së pushtetit me forma të alternuara: falimentimi i piramidave financiare ishte rasti më ideal për të vënë në jetë inxhinjerinë e një puçi me elementë të kryengritjes së përgjithshme kauzipopullore, ndonëse situata nuk ishte as e natyrës politike, as e natyrës sociale. Siç dëshmuan pas viti 1997 ekspertët ekonikë, të huaj dhe shqiptarë, zhbllokimi i situatës mund të arrihej me disa masa të thjeshta që kërkonin një kohë 4 mujore, si për shembull, bllokimi i gjithë kapitalit të firmave të falimentuara (të cilat qeveria tetëvjeçare socialiste i përvetësoi plotësisht, d.m.th., “nuk la as dhe kockën”. Teknika revolucionare e përdorur nga Trocki në Petrograd, në Tetorin e vitit 1917, për të hedhur në dorë pushtetin, kishte për të dhënë të njëjtat përfundime po të qe zbatuar në Zvicër apo Holandë. “Ose në Angli”, shtonte Trocki. Së këndejmi këto pohime mund t’u ngjajnë arbitrare ose absurde vetëm atyre që problemin e revolucioneve e gjykojnë vetëm si problem politik ose social. Edhe shembujt e traditave të kapërcyera revolucionare aty të çojnë: Cromvelli, 18 Brymeri ose Komuna e Parisit.

Sidoqoftë, situata e shoqërive bashkëkohore, veçanërisht e shoqërive post-totalitare, paraqet një tejkalim të modelit klasik të grusht-shtetit në përbërësit teknik të çështjes, siç e trakton Malaparte. Natyra e grushtshtetit shqiptar 1997, kishte një konfigurim elementësh heterogjenë, të cilët, një pjesë thjesht mercenarë e trafikantë, një pjesë tjetër - nostalgjikë të komunizmit të Enver Hoxhës, e gjejnë veten më mirë në modelin e grusht-shtetit sipas modelit të S. Hatingtonit.

Pushteti i djathtë i Presidentit Berisha, nuk arriti të krijonte një propagandë efikase dhe teknike duke iu kundërvënë skenarit të ndërlikuar të forcave kundërshtare underground, të cilat kishin një përbërje komuniste, ish-komuniste me një aleancë të elementit trafikant dhe të interesit destabilizues antishqiptar të fqinjëve.

Kush ishte turma dhe kush e udhëhiqte atë?

Degradimi i protestave nga popull në turmë, shfaqet me marrjen e drejtimit të protestës nga Formumi për Demokraci, metamorfoza e parrullave, akteve vandale të djegjes së institucioneve shtetërore, mbylljes së shkollave, vrasjeve së policëve, ndërprejes së komunikacionit rrugor dhe pllakosjes së urisë në qytet. Sipas përkufizimit të Hanah Arend, “Turma është, kryesisht, një grup në të cilin përfaqësohen të gjitha mbeturinat e shoqërisë. Kjo e bën më të lehtë që turma të ngatërrohet me popullin, i cili, gjithashtu, përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë . Ndërsa populli në gjithë revolucionet lufton për një përfaqësim të vërtetë, - turma gjithmonë do të bërtasë për “njeriun e fortë“, “liderin e madh“ .

Thirrjet: “Poshtë qeveria!“, “Poshtë parlamenti!“, mllefi ndaj Shërbimit Informativ Kombëtar – vrasja, djegia (copëtimi me sëpatë dhe akti vampirik i pirjes së gjakut, sipas një transmetimi të Euro News që shokoi njerëzimin) e oficerëve të tij, kryesisht - bij të ish-të pushkatuarve nga regjimi komunist i Hoxhës – të gjitha këto – flasin për krijimin e një psikoze agresive të turmës (pa hyrë në interpretime teorike si ato që jep për psikozën e turrmave Le Bon-i).

Sipas H. Arendt, “E përjashtuar nga shoqëria dhe përfaqësimi politik, turma drejtohet me domosdoshmëri ndaj veprimit jashtëparlamentar. Për më tepër është e prirur të kërkojë forcat e vërteta të jetës politike në ato lëvizje dhe ndikime, të cilat janë të fshehura nga vështrimi dhe punojnë pas skenave “.

Pas skenave turma manipulohej nga regjizorët dhe duart e padukshme: qysh me aktet e para të shkatërrimeve, djegieve të institucioneve, vrasjeve dhe plaçkitjeve, protestuesit që kishin vetëm qëllimin e kthimit të parave u tërhoqën. Mbetën vetëm precipitatet e ish-komunizmit, fshatarët që zbrisnin për plaçkitje në qytet dhe krimenelët me bandat e trafikut. Pasi mënjanohen protestuesit me parrullat e tyre “Duam paratë tona“, turma që kërkon marrjen e pushtetit me dhunë ka pakashumë këtë konfigurim:
Partitë politike të opozitës së majtë: Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, Partia e Aleancës Demokratike që të gjitha drejtohen nga ish-komunistë dhe ministra të kohës së E. Hoxhës.

Në varësi të tyre kemi në terren Komitetin e Shpëtimit Publik që udhëheq
a) Rebelimin. Komiteti i Shpëtimit Publik e shtrin ndikimin mbi këto grupe dhe kategori klasore që urdhërohen dhe i shërbejnë. Këto grupe janë:
Bandat. Aktiviteti i tyre është të kryejnë: vjedhje/grabitje bankash dhe rrëmbim personi, vrasje dhe terror mbi drejtuesit e PD-së, sigurim fondesh monetare për KSHP-në, terror mbi PD-në në zgjedhjet e 29 qershorit 1997.
b) Militantët. Këta janë: grupi i grave ose “Shamizezat“, grupi i guerrilasve, grupi i parrullave ose dezinformimit dhe terror mbi PD-në në zgjedhjet e 29 qershorit 1997.
c) Asfali + UDB. Kontributi i tyre është: USD + Dhrahmi, kriminelë të liruar, informatorë, propagandë intensive kundër PD-së.
d) Skafistët. Kontributi i tyre është: para për Komitetin e Shpëtimit Publik, aksione speciale, terror mbi PD-në në zgjedhjet e 29 qershorit

Kriminelët ordinerë të burgjeve greke

Prej një analize të thjeshtë, këta shkatërrues të shtetit shqiptar dhe pushtetit legjitim të PD-së “Robin Hudet“ apo “çlirimtarët“ - siç i quanin gazetat e opozitës (Koha Jonë, Klan etj.), na dalin vegla qorre të ish-komunistëve dhe shërbimeve të huaja fqinje. “Ata prunë në krye të shtetit një qeveri, që edhe kur është me grip nuk pi çaj dhe aspirinë, po nuk mori leje në Athinë apo Beograd“ .

Ja disa protagonistë që udhëhoqën turmat: Albert Shyti, Arben Latifi, Myrteza Çaushi, Afrim Rami (Luçiano). Tre nga këta vinin nga burgjet greke si kriminelë e vrasës profesionistë. Më i shkolluari i tyre ishte Albert Shyti, me shkollë të mesme. Të tjerëve do tu mjaftonte edhe shkolla tetëvjeçare për t’u bërë të famshëm në të gjithë Europën si politikanë, luftëtarë, sulltanë dhe kriminelë.

Albert Shyti ishte dhe kreu i turmës, udhëheqësi i “Formumit për Demokraci”, që do të ndërronte shpejt emër në “Komiteti i Shpëtimit Publik”. Shytin nuk e njihte as pallati i tij ku banonte, i larguar që adoleshent në Greqi. Për herë të parë ai iu drejtua turmës në fillim të shkurtit ’97 nga studioja e të vetmit kanal televiziv të qytetit “Teleblu”. Intelektuali me shkollë të mesme, që fliste një shqipe me theks të fortë grek, sqaronte se kishte ardhur posaçërisht nga Greqia me plane për Vlorën dhe hapte disa letra me projekte që i kuptonte vetëm Shyti. Këto projekte që kërkonin miliarda dollarë, ai do t’i vinte në zbatim në qytetin e Vlorës. Për zbatimin e tyre, ai shpalli se kishte bërë dy-tre kurse mujore në Greqi. Revista “Klan”, rrëfen se, “para se të binte në burg, Shyti kishte punuar në emigracion si bojaxhi, marangoz dhe murator” .

Me 6.03.1997, Shyti do të shpallej me solemnitet Kryetar i Komitetit të Shpëtimit Publik të Vlorës, e pas pak ditësh, Kryetar i Mbrojtjes së Interesave Popullore. Në Kuvendin e Lushnjës që bënë Komitetet e Jugut, Shyti për të rritur vlerat e tij do të shpallej me tre gjuhë të huaja dhe i diplomuar në dy universitete. Shumë vonë ai u mor vesh që ishte i biri i Aristidh Shytit dhe kishte mbaruar me rezultate tepër të dobëta gjimnazin “Halim Xhelo”. Shyti bashkë me shokët e vet udhëheqës qe betuar në “Sheshin e Flamurit”, para mijëra protestuesve se “do të luftonin deri në fund për kthimin e parave dhe se asnjë prej tyre, deri në realizimin e qëllimit, nuk do të merrte poste dhe nuk do të kandidonte për deputet. Sapo ra qeveria demokratike, të gjithë këta djem, e harruan betimin, zunë poste shumë të larta administrative dhe vetë Shyti kandidoi për deputet.

Pse duhej sulmuar SHIK-u, pse duhej vënë në qendër të propagandës, si burimin e të gjitha të këqijave, kur vetë SHIK ishte kishte informuar i pari për katastrofën e firmave piramidale, gjashtë muaj më parë? Pse duhej të digjeshin rezidencat e tij, me gjithë dokumentacionin e grumbulluar nëpër qytetet e jugut? Në interperlancën e tij para Parlamentit shqiptar, Kryetari i i SHIK-ut, Bashkim Gazidede informon:
“Po vihet në diskutim integriteti i Shqipërisë, duke u rrezikuar deri copëtimi i saj për llogari të vendeve fqinj. Synimet për copëtimin e Shqipërisë kanë qenë të hershme dhe në rrethana e kohë të ndryshme, janë shfrytëzuar momente të favorshme për t’u realizuar këto plane. Le t’u referohemi disa prej këtyre planeve të hartuara vitet e fundit, që kanë pasur për synim tjetërsimin e territorit të Jugut të Shqipërisë, të ashtuquajturit Vorio-Epir... SHIK-u është në dijeni të një plani të detajuar, të hartuar në këtë periudhë, të quajtur “Plani Lotos”, pra, bëhet fjalë për vitet 1990, i hartuar nga qarqe të caktuara vorioepirote dhe që kishin si strategji çlirimin e “Vorio-Epirit” nga “sundimi shqiptar”, si dhe mënyrën për realizimin e këtij plani. Plani përcaktonte me hollësi të gjitha etapat e nevojshme për fillimin e një kryengritjeje të armatosur për çlirimin e “Vorio-Epirit”.

Shërbimet e huaja

Segmente të caktuara të Asfalisë dhe UDB-së, kanë qenë dhe janë të interesuar për një Shqipëri të dobët, kaotike. Në fillim të revoltave, dalja e mjaft kriminelëve nga burgjet greke, do të luajë një rol mjaft aktiv në radikalizimin e situatës. Ekziston një shumicë e këtij kontigjenti, të kapur nga SHIK-u shqiptar duke shpërndarë flamuj grekë dhe harta të Vorioepirit nëpër qytetet shqiptare të jugut. “Kisha Ortodokse greke nën drejtimin e ekstremistit të ndjerë nacionalist, mitropolitit Sebastianos të Drinopulosit, kishte filluar ta përdorte kishën për rigjallërimin e propagandës për Vorio Epirin” .

Me 3 mars 1997, disa media shqiptare dhe kosovare flasin për një “interperlancë të kërkuar në Parlamentin serb nga Vojesllav Sheshel, i cili kërkon të dijë se çfarë u bë me 18 milionë dollarët e hedhura për trazirat në Shqipëri”. Nëse këto informacione i marrim në thojza, atëherë raportimi i kreut të SHIK-ut, përbën vetëm majën e ajsbergut: “...Sillogjet vorioepiriote gjatë viteve 1991-1994 kanë pasur edhe mbështetjen e qeverisë së atëhershme greke, të drejtuar nga Micotaqis dhe qeveritarë të tjerë. Kështu, secilit nga ju mund t’i kujtohet në atë kohë deklarata prej pesë pikash e ish-Kryeministrit Micotaqis, ndër të cilat çështja e minoritetit grek në Shqipëri krahasohej me problemin e Kosovës.

Për të njohur gjendjen sa më mirë në Shqipëri u infiltruan ish-oficerë të liruar të ushtrisë, të policisë, të Sigurimit të Shtetit, duke përfshirë këtu edhe ish-ministrin e Mbrojtjes të kohës së komunizmit, Kiço Mustaqi, i cili ka informuar, sipas të dhënave të sakta që kemi, mbi gjendjen e teknikës luftarake në Shqipëri, për vendndodhjen e armatimit të rëndë, të aviacionit, për bazat ushtarake detare dhe pothuajse hollësisht për çdo gjë. Po kështu, nga ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit është dekonspiruar rrjeti i bashkëpunëtorëve të tyre si dhe të dhëna të tjera me karakter sekret. Nga ana jonë disponohen të dhëna që edhe Gramoz Ruçi, së bashku me Kiço Mustaqin kanë qenë në dijeni dhe janë integruar në planet për organizimin e kësaj kryengritjeje të armatosur. Në vitet 1991-1993, platforma e ndjekur nga qarqet shoviniste greke, duke gjetur edhe mbështetjen e qeverisë së Micotaqisit, synonte tjetërsimin e territorit të Shqipërisë” .

Shtypi i atyre ditëve luan një rol nxitës e inkurajues për rebelet. Gazeta kryesore opozitare “Koha Jonë” i cilëson rebelët si “çliruesit e Vlorës” ; “ushtarët flasin serbisht...” ; “Vlora si Beogradi” . Ndërsa në Bibliotekën e djegur publike të qytetetit portreti i themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali është grisur në formën e një kryqi të madh grek .

Tradita

Në traditën e politikës shqiptare të marrjes së pushtetit me dhunë, ekzistojnë dy episode: i ashtuquajturi nga historiografia komuniste “revolucioni demokratiko-borgjez i qershorit 1924, kur shkrimtari dhe prifti ortodoks Fan S. Noli erdhi në pushtet, si rezultat i një puçi të mirëfilltë ushtarak, duke dëbuar mbretin Zogu I (aso kohe jo Kryeministër), dhe marrja e pushtetit me dhunë nga komunistët, fill pas luftës së Dytë, të ashtuquajtur Nacional-Çlirimtare – një dukuri që u shoqërua krahas luftës kundër okupatorit edhe me aspekte të përndezura të një lufte civile, sidomos në Veri të Shqipërisë.

Në rebelimin postkomunist të vitit 1997, forma e dhunshme e rrëzimit të qeverisë legjitime demokratike (edh pse me abuzimet në zgjedhjet e 26 majit 1996) përfshiu, përveç aspektit regjionar (rebelimi ndodhi vetëm në Jug, poshtë lumit Shkumbin), edhe shumë grupe e shtresa të frustruara të shoqërisë. Në Jug, strukturat e vjetra të PPSH-së dhe ish-Sigurimit, vunë në lëvizje militantët, agjentët, punëtorët dhe fshatarët e zakonshëm nostalgjikë, të cilët u vunë në shërbim të “Komiteteve të Shpëtimit”.

Këto Komitete (të ngjashme me komitetet e dikurshme të PPSH-së) përgjithësisht mbështeteshin nga organizatat vendore të partisë Socialiste në opozitë. Këto Komitete përfshinin ish-spiunët e Sigurimit, ish-oficerët e liruar nga ushtria, të cilët u vetëquajtën “Gjeneralë” dhe u vunë në krye të rebelimit, duke u shndëruar kështu në një rezik real për rikthimin e sundimit komunist. Një kërcënim të qartë përbënë këto struktura pas 3 marsit, kur në gjithë Jugun u sulmuan depot dhe repartet ushtarake duke u armatosur me armë të të gjitha kalibreve. Shumë prej ish-oficerëve dhe militantëve të vjetër nostalgjikë e kishin të freskët taktikën e luftës partizane. Më vonë është thënë se policia sekrete greke dhe ekstremistët e djathtë të organizatës së Vorio-Epirit luajtën një rol të konsiderueshëm në këtë rebelim, si dhe në shpalljen e Komitetit të Shpëtimit Publik ishin i vetmi autoritet qeveritar vendor i ligjshëm.

Vetëm në Vlorë thuhej se kishte 150 mijë rebelë të armatosur. Në qytetet kryesore të jugut ndërhyrja ushtarake e shtetit pësoi disfatë. Në skena më shumë të ngjashme me ato të Komunës së Parisit se sa të Europës së shekullit XX, rebelët e armatosur e sprapsën ushtrinë dhe policinë e shtetit. Jugu ish-komunist u mbush me gjithfarë reliktesh retorike, modelet e “njeriut të ri” enverist, që nuk ishin veçse ilustrim klasik i dogmave revolucionare marksiste – gjithfarë grupimesh që kishin kërkuar zëvendësimin e Berishës me një regjim neokomunist, madje edhe nga gazetarë e shoqata të huaja . Enverizmi kishte bërë që, në mënyrën e tij, të mishëronte një përmbajtje të pastër revolucionare dhe që kishte rrënjë të thella në ndërgjegjen politike popullore, si rezultat i një procesi të gjatë të shpëlarjes së truve të popullit nëpërmjet sistemit arsimor dhe edukues që kishte zbatuar.

E çuditshme është se nga lumi Shkumbin e lart nuk pati Komitete Shpëtimi, nuk pati rebelim. Nuk është e vërtetë që shqiptarët që banonin mbi lumin Shkumbin nuk kishin humbur shumë para në firma. Po të shikosh të dhënat statistikore, humbja është e njëjtë. Në fazën e pjekur të rebelimit, rebelët e jugut ish-komunist hodhën parrullat “Të marrshojmë në kryeqytet!” dhe “T’i shtypet koka Veriut!”, të cilat gjenin pasqyrim gjerësisht në shtypin opozitar, - shih, sidomos në gazetën “Koha jonë”, gjashtëmujori i parë 1997.

Opozita

Krerët e opozitës vinin çdo ditë sipas një programi të llogaritur. Gjinushi, Milo, Ceka, Dokle dhe profesori (Rexhep Meidani), me praninë e tyre inkurajonin turmën. Porositë e tyre ishin: “Mos e ulni tempin. Provokoni në çdo moment. Asnjë kompromis ose bashkëpunim me strukturat e shtetit të ngritura nga PD (Gjinushi)”; “Hidhuni në grevë të përgjithshme, mbyllni dyqanet, furrat e bukës dhe spitalet (Milo); “Hajduti është Partia Demokratike, krimineli është Sali Berisha. I vrisni ata, përmysini dhe ne do t’jua japim paratë (Dokle)”. “Mos e ulni intensitetin, vazhdoni luftën! Marshoni drejt Tiranës, apo “Armët gati dhe drejt Presidentit! (Brokaj)”. Politizohen edhe vdekjet e rëndomta duke thirrur “E vrau qeveria!”. Poetët socrealistë shkruajnë poezi e kushtrime nxitëse në faqet e gazetave. Inskenohen greva urie të studentëve. Në ditët e para të marsit Ministri i Mbrojtjes, S. Zhulali jep dorëheqjen dhe arratiset nga Shqipëria.

Shamizezat

Ishte një grup prej 25-30 grash të moshave të ndryshme, por zhurma dhe zallahia që ato ngritën, i kaloi kufijtë e Shqipërisë. “Shamizezë” në traditën popullore të jugut, ishin ato vejusha që kishin humbur burrin apo djalin për gjakmarrje apo për atdhe. Ato pastaj me një stoicizëm të rrallë, nuk janë martuar, kanë rritur fëmijët, kanë lëruar tokën me parmendë, e i kanë vënë shpatullat shtëpisë që të mos ngelej pa zot. Jo rrallë kanë rrëmbyer pushkët për t’i dalë zot familjes e atdheut. Ato mbanin shami të zeza në kokë prej një gjalmi të zi që e punonin vetë dhe nuk i hiqnin deri në vdekje.

Po çfarë ishin ato shamizezat e vitit 1997?, që shpesh nuk i kalonin moshat 40 vjeç e që shkulnin faqet para kamerave televizive të stacioneve të huaja? Pjesa më e madhe e tyre përbëhej nga ish-sekretare të administratës së PPSH-së, apo instruktore partie, drejtoresha ndërmarrjesh apo shkollash, gra oficerësh apo titullarësh të kohës së Enver Hoxhës. Ne tragjedinë e të mbyturve (emigrantë klandestinë) në gjirin e Otrantos, këto gra dolën duke çjerrur faqet, shkulur flokët dhe hedhur lule në det (enkas për telekamerat e huaja), megjithëse në atë tragjedi nuk kishin humbur asnjë të afërm. Veshja e këtyre grave me të zeza bëhej me qëllim që të krijohej përshtypja se, gjithë këto shamizeza ishin nënat e atyre që kishte vrarë qeveria .

Këtyre daulleve u binte dhe shtypi. Një ndër gazetarët më të njohur të regjimit të Hoxhës shkruan tek “Koha Jonë” (12 prill 1997): “Rregjimi më gjakatar është ai i Berishës. Ky i vuri pushkën popullit shqiptar dhe vrau më tepër se sa tregon historia për pushtimin nazi-fashist. Sipas kësaj logjike i takon që në përplasjen e policëve të Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, poetit Halit Shamata, me demonstruesit, të jenë vrarë më shumë se 28 mijë njerëz! Ndërkaq që shifra e saktë, e gjithpranuar tani, i vrarë rezulton vetëm 1 demonstrues, djaloshi Artur Rustemi, edhe ai, padashje. Por, ata që i ngritën lapidarin, as formalisht nuk bënë hetime, as u përpoqën të gjejnë vrasësin e vërtetë. Zhurma dhe mbresa që lanë shamizezat ka qenë kryesisht vulgare. Ata shanin në korr qeverinë dhe ndonjë përfaqësues duke përmendur organet gjenitale e kontaktet seksuale; këto gra godisnin makinat me gurë, u binin me duar prapanicave etj. Pas 1997-ës këto shamizeza u bënë drejtoresha, shefe financash, u pajisën me viza greke e italiane etj.

Ekzistojnë dy video, njëra paraqet një skenë ku në ambientet e Universitetit të Vlorës është zënë informatori i policisë sekrete Lekë Qoku. Ai do të copëtohet me sëpatë nën thirrjet yshtëse të shamizezave: “thereni qenin, thereni!”. Videoja e dytë tregon pamjet e llahtarshme, të një polici të rrethuar nga shamizezat dhe turrma, ndërsa njëra prej shamizezave ka ngulur dhëmbët dhe pi gjak në fytin e prerë të policit. Kjo ka qenë një pamje klasike e transmetuar shpesh nga Euronjuz, në rubrikën “No koment”.

Shtypi

Meqenëse shtypi i djathtë e neutral nuk mund të depërtonte në jug, përndryshe gazetarët masakroheshin, gjithë misionin e informimit publik e mbajti shtypi neokomunist, gazetarët e të cilit u bënë dhe ndërmjetës me shtypin e huaj. Vetëm gazetarët e BBC, “Zërit të Amerikës” etj, mund të jepnin ndonjë informacion më të besueshëm, por ishin të rrezikuar vazhdimisht me jetën e tyre.

Në televizionet e huaja, veçanërisht ato greke, shikon skena ku linçohen njerëz, fëmijë me pushkë, të vrarë që hiqen zvarrë, njerëz që rrëmbejnë, vjedhin e plaçkisin në mes të ditës.

Shtypi i majtë krijon një tablo qëllimshëm psikotropike, duke përhapur panik, sidomos me parrullat e kryengritësve “Para drejt Tiranës!” dhe “T’i shtypet koka Veriut”. Faqet e gazetave bëhen thjesht zëdhënëse të kryengritësve, botojnë peticione e ultimatume çdo ditë. Ja një perlë e informacionit që ofron gazeta Koha Jonë me 28. 02. 1997: “Janë hedhur 400 policë të SHIK-ut me parashutë në Poro me në krye Sokol Mulosmanin. Kanë kapur një autobus me pasgjerë dhe kanë përdhunuar gratë në sytë e burrave të tyre. Po stërviten dhe 500 të tjerë në Shashicë dhe do të sulmojnë natën”.

Është e habitshme, por shtypi i shkruar shpesh paraprinte ose parashikonte çdo lloj ngjarjeje ato kohë në Vlorë. Ajo që shkruhej e thuhej aty, do të realizohej patjetër një ose dy ditë më vonë. Ja disa shembuj konkretë: “Studentët e Vlorës – 100 orë grevë urie. SHIK kërkon t’u prishë grevën e urisë. Pëshpëritet për një plan ku njerëz të policisë sekrete, ndërkohë që qytetarët vlonjate do të jenë në gjumë, do të nxjerrin nga sallat e ngujimit 52 studentët. Ky ka qenë pohimi në ambientet e universitetit. Pas kësaj të gjithë njëzëri, banorët e qytetit demonstrues, kanë vendosur përshkallëzimin e protestave 24 orë pa ndërprerje. Të qëndrojnë me rradhë, rrotull ambienteve të Universitetit me batanije duke ndezur zjarre dhe qirinj në mbrojtje të studentëve. Në rast se shihet ndonjë lëvizje e dyshimtë, menjëherë të lajmërohet i gjithë qyteti...” .

Ky organizim filloi në darkë, ditën që doli gazeta.
“Mbrëmë e gjithë Vlora në orën 22.00 është ngritur dhe ka dalë në sheshin “Pavarësia”, pasi ka marrë njoftimin se 350 stampista nga Tirana po hyjnë në Vlorë për të nxjerrë studentët nga greva. Numri i qytetarëve vlonjate në orën 22.00 ka arritur në 40 mijë vetë” . Edhe këtë rradhë dezinformimi i parapriu ngjarjes: në darkë, në të vërtetë numri i njerëzve u rrit afro 40 mijë.

Një ditë më vonë, para sulmit të rezidencës së Shikut: “Armët? Ku i gjetëm armët? – bërtasin vlonjatet. Ia rrëmbyem mercenarëve të Berishës me 10 shkurt. Le të vijnë po të duan. Ja ku jemi... të ngritur në këmbë për të ruajtur të paprekur Vlorën tonë... ”. Pas dy alarmeve të rreme me 26 dhe 27, natën e 28 shkurtit do realizohej sulmi i armatosur dhe prej asaj dite përfundimisht, Vlora, siç shkruan asokohe Frrok Çupi, do të ishte “qytet i lirë”, “një oaz paqjeje”, “një parajsë e tokës” . Pyetja normale që lind është kjo: si mund të sulmoheshin e të rrëmbeheshin nga 30 shikas, 52 studentët e ngujuar, të cilët ruheshin nga 40 mijë njerëz ditë e natë, ku shumica sosh ishin të armatosur?

Në pikun e rebelimit, të vrasjeve, djegeve, shkatërrimeve dhe krimeve të tjera, udhëheqësi i turmave, intelektuali me shkollë të mesme, Albert Shyti, vizatohet kështu: “Kreu i Komitetit të Shpëtimit Publik”, nuk ka asgjë të përbashkët me një rebel. Ai duket sikur thotë: “Më shikoni, a mundem unë të mbaj një kallashnikov...? Tani ai sheh më shumë filma, dëgjon më shumë muzikë e lexon më shumë në greqisht (Andi Bushati, Revista “Klan” 18.05.1997).

Përfundime

Si mund ta quajmë përvojën e hidhur shqiptare të marrjes së pushtetit me dhunë?
Puç? Në fakt organizimi i puçit, apo grushtit të shtetit (coup d’état (edhe coup),është përmbysja e menjëhershme dhe e paligjshme e një qeverie nga një pjesë e estabilishmentit shtetëror, për të zëvendësuar pjesën e sulmuar të qeverisë, qoftë me një qeveri tjetër civile, edhe me një qeveri ushtarake. Pjesë e këtij estabilishmenti shtetëror ishte opozita me partitë e majta, të cilat bashkëpunuan, udhëzuan dhe kontrolluan çdo fazë të rebelimit dhe kryengritjes, deri në rënien e qeverisë. Disa elementet të coup d’état, janë konsumuar në një analogji me ato të që ka përdorur Lev Trocki dhe Lenini gjatë tetorit 1917.

Në “Teknika e grushtit të shtetit”, Curzio Malaparte thotë se “Është e padrejtë ta akuzosh Kerenskin për mungesë parashikimi dhe veprimi: janë metodat policore që nuk mjaftojnë për të mbrojtur shtetin nga teknika e kryengritjes moderne . Gabimi i Kerenskit është po ai në të cilin bien të gjitha qeveritë që e quajnë problemin e mbrojtjes së shtetit problem policor. Këtë bindje e kishte dhe presidenti Berisha me 1997. Mirëpo a duhet quajtur vetëm coup d’état përvoja shqiptare e 1997-ës? Grushti i shtetit vetëm sa shfrytëzoi situatën e krijuar, për t’i hapur udhë një rebelimi (Insurgency) të organizuar që synon përmbysjen e qeverisjes kushtetuese, nëpërmjet një faze tjetër zhvillimi - konfliktit të armatosur, pa i lënë kohë qeverisë të mbushej me frymë. Lënda shqiptare ishte një eksplozion i fjetur, i gatshëm të shpërthejë nga shkëndija e parë, pasi gjithë strukturat undergraund të shtresave nostalgjike të komunizmit, të mbetura për herë të parë pas 45 vjetësh pa pushtet, ishin të gatshme për revansh. Prijësi shpirtëror i komunistëve, ish-Presidenti komunist, Ramiz Alia, u kishte lënë testament komunistëve që me 1989 tekstin e një përbetimi (konspiracioni), në të cilin ishin përfshirë të gjithë komunistët, në frymën e Katovicës. Ja pjesë të këtij fjalimi të fshehtë, me dyer të mbyllura, regjistrimin zanor të të cilit e ka autori i këtyre rradhëve:

“Kundërshtarët tanë do t’i nxisim të krijojnë parti sa të duan; të majta, të djathta dhe të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga Ne. Programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne. Në krye të këtyre partive duhet të nxirren njerëz që përkrahin Strategjinë Tonë. Partia që do të marrë pushtetin, do ta shajë komunizmin me themel e me çati. Në këtë mënyrë, do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës Antikomuniste... Neve kemi kuadro sa për shtatë komitete qendrore, ndaj nuk ka asnjë arsye që të kemi frikë. Ne i kemi studimet dhe platformat gati për zbatim. Çdo gjë e kemi të programuar. Strategjinë e keni që të gjithë të qartë. Në përputhje me këtë strategji, kemi përcaktuar edhe rrugët për zbatimin e qëllimit dhe të misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe, ndaj Nomeklaturës së Lartë Komuniste, “Ne, Komunistët Reformatorë”, do të zbatojmë Strategjinë tonë në Ekonomi, sipas së cilës Kapitalistët dhe Pronarët e Ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe Njerëzit Tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tre legjislaturave, do të arrijmë që nga Klasa Komuniste të krijojmë Klasën Kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në Pushtetin Politik të së Ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim Vetë.

Të jeni të sigurtë që e Ardhmja do të jetë e Jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri, po të jetë nevoja.
Shqipërinë do ta gëzojmë Ne dhe Fëmijët tanë. Nëse do të ndodhë që të na marrin pushtetin dhe të na rrezikojnë, atëherë harram na qoftë nëse nuk do të dimë t’i mbrojmë fitoret e arritura, qoftë edhe me grykën e pushkës, si dikur, në Rininë tonë.

Prandaj, gjithmonë të jemi të përgatitur për të dyja rrugët e mbajtjes së pushtetit: rrugën paqësore dhe rrugën e luftës së armatosur. Ne jemi përgatitur për të dyja rrugët dhe për këtë kemi organet tona të dhunës dhe njerëz tepër të vendosur e të aftë, që i kemi përgatitur për gjithë këto vite, me mund dhe sakrifica. Mjerë Ata që do të guxojnë të Na dalin përpara e të Na kundërvihen. Ndaj mbajeni moralin lart dhe mos u frikësoni. Nëse lind nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, të cilët nuk është nevoja t’jua përmend...

Teoria e konspiracionit komunist gjatë rebelimit të armatosur të 1997-ës në Shqipëri, përmblodhi në vetvete një shumllojshmëri shtresash e kategorish sociale e politike. Me gjithë situatën postkomuniste dhe vdekjen e ideologjisë së tyre, ata e tradhtuan veten duke e zbuluar nëpërmjet gjesteve, akteve dhe veprimeve, deri në qëllimin final – rrëzimin e qeverisë demokratike, antikomuniste të Sali Berishës. Pathosi kuazihuman i Berishës në zgjedhjet elektorale të vitit 1992, nëpërmjet apelit moral, drejtuar shqiptarëve - “Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!” - ishte një formulë krejt e suksesshme për fitoren e thellë ndaj komunistëve, por në vijim, kjo devizë, me qëndrimin e butë ndaj stalinistëve shqiptarë dhe bashkëqeverisjes së tij me bijtë e kupolës ish-komuniste pas vitit 2005, rezultoi jo vetëm e padobishme, por edhe e pamoralshme.

Përfundimisht mbeturinat e komunizmit shqiptar patën mjat kohë për t’u organizuar, madje për të krijuar një disiplinë të konspiracionit, duke ardhur sërish në skenën politike shqiptare, tashmë jo vetë, por nëpërmjet Partisë Socialiste, e cila e kishte ndërruar emrin e vjetër PPSH me 10 qershor 1991. Viti 1997 është një nyje ku pleksen fazat e komplotit (konspiracionit), grushtit të shtetit, rebelimit, dhe revolucionit. Rikthimi i komunistëve pas 1997 risolli në pushtet dhe rehabilitoi, tashmë ekonomikisht, klasën protagoniste, të privilegjuar në diktaturë. Ajo përgjatë 8 vjetëve në pushtet (1997 – 2005) shtiu në dorë pjesën më të rëndësishme të monopoleve ekonomike, duke u polarizuar ekonomikisht nëpërmjet korrupsionit shtetëror dhe të trafiqeve të paligjshme.

Ndodh që në jetën e tij, njeriu kryen një vrasje si rezultat i rrethanave të imponuara. Vret për të shpetuar veten, të afërmin kur jeta rrezikohet prej kriminelëve. Në këto raste vrasja është gjithmonë e dhimbshme, por njeriu e ngushëllon veten, sepse vrasjen e bëri në emër të jetës dhe ajo solli më shumë dobi se fatkeqësi.

Në mbyllje të këtij shkrimi e shoh me vend të sillen meditimet e trishtuara të autorit të ditarit “Unë e pashë kush e dogji Vlorën”, ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës që e pa me sy dhe e përjetoi çdo ditë shkatërrimin e dhimbshëm të qytetit të tij të lindjes:
“Revolucioni i armatosur, zë në jetën e një populli atë vend që zë në jetën e individit vrasja e detyruar. Pas 11 vjetësh shqiptarët pyesin: a ishte Shqipëria në fund të vitit 1996 dhe në fillim të 1997-ës në atë gjendje që revolucioni i armatosur të përbënte një domosdoshmëri urgjente? A iu kthyen shqiptarëve paratë e premtuara nga socialistët? A u çarmatos populli? A u ulën çmimet? A kemi siguri më të madhe se në 1996-ën dhe a shënoi një ngritje më të madhe vetëdija morale e qytetarëve. Sa herë populli t’i përkrahë aventurierët e revolucionit, do të tregojë shkallën e tij të zhvillimit”. Mjafton kaq që demokracia të mbetet një ëndërr tepër e largët”.

18/04/2008 G. Start

http://www.zemrashqiptare.net/article/shqiperia/KomenteAnaliza/3184/


10 nëntor 2007

Çmimet po shkojnë në qiell. Ku po shkojmë ?!

 Ky shkrim është shkruar për Hermesnews

 

Çmimet po shkojnë në qiell… Ku po shkojmë ?!

 

Ka dy fenomene në ngritjen e çmimeve. Një fenomen që do ta quanim normal që është tendenca ngritjes së çmimeve, një tendence kjo e vazhdueshme. Për ta kuptuar fenomenin po bëjmë një krahasim. Çmimi i një buke apo i këpucëve para 10 viteve nuk ishte i njëjtë me çmimin e një buke apo një këpuce sot. Flasim për të njëjtën bukë apo të njëjtë këpucë (palë..) dhe për të njëjtën sasi. Ky fenomen përbënë një fenomen normal dhe është përgjegjësia e bankave dhe e qeverive që të kontrollojnë këtë fenomen dhe për ta mbajtur atë në kufij normal. Ky fenomen njihet si inflacion. Në kufijtë e 2-3 përqindëshit ky është një fenomen normal. Por ngritja e çmimeve e menjëherëshme dhe zhvlerësimi i monedhës vendase (kujtojmë fenomenin e ngritjes së çmimeve në fillimin e viteve 1990 në Shqipëri por dhe në të gjitha vendet që kaluan nga një ekonomi e kontrolluar në një ekonomi tregu) është një fenomen që del nga normalja dhe përbënë atë që quhet hyperinflacion. Një fenomen tjetër është ai i deflacion ( kur kemi rënien e çmimeve) dhe desinflacion kur përqundjet e interesit bien nën zero. Shembulli i krizës japoneze të 1997 është domethënës.

 

Çmimi i naftës po dyfishohet apo trefishohet.

 

Nafta është një produkt i veçant dhe si i till dhe faktorët që ndikojnë në ndryshimin e çmimit nuk janë të njëjtë me atë të produkteve të tjera. Nafta e quajtur edhe ari i zi për vlerat që ajo ka në jetën e njerëzimit, është një produkt që kontrollohet nga prodhuesit e saj dhe kryesisht nga vendet e OPEK-ut. Pra ndryshe nga ç'mund të mendohet nafta është një monopol që domethënë, prodhuesit (OPEK) mund të fiksoj kuotat e prodhimit dhe mund të fiksoj dhe çmimin e shitjes së naftës. Në çmimin e naftës së kohëve të fundit ndikon dhe hyrja e Kinës dhe e Indisë në vendet në zhvillim. Kjo do të thotë se këto vende kanë nevojë për energji dhe kryesisht për naftë. Pra një rritje e kërkesës për një prodhim si nafta çon në rritjen e çmimit të saj. Por nga ana tjetër rritja e çmimit të naftës ndikon mbi çmimin e gjithë produkteve të tjera sepse ka të bëjë me ngritjen e kostos së transportit.

 

Po drithrat pse po shtrenjtohen për ditë e më shumë ?

 

Nuk është folur ndonjëherë për çmimin e drithërave të paktën në Perëndim. Ndonëse drithërat janë produkte jetike në disa vende në zhvillim, në vendet e zhvilluara herë mbas here nuk dinë se çfarë të bëjnë me superprodhimet në sektorin e drithërave. Por së fundi dhe drithrat janë futur në listën e artikujve që po shtrenjtohen me një shpejtësi të pazakonte. Pse ? Ajo që tham për naftën ndikon tek drithrat pra çmimi i naftës bënë që transposrti i drithrave ti shtohet çmimit të vetë drithërave. Por ka dy arsye të tjera që i bëjnë drithërat të flitet për to. Këtë vit, thatësira dhe kushte të tjera kanë bërë që Rusia apo shumë vende të Azisë nuk kanë mundur të realizojnë prodhimin e pritshëm të drithrave. Kjo bënë që drithrat të shtrenjtohen përderisa ato bëhen edhe më të rralla. Duke qenë se tregëtia është gjithnjë e më tepër e hapur, çmimet e drithërave ngrihen ngado si në vendet që importojnë dhe ata që prodhojnë vet këto produkte. Sigurisht duhet llogaritur një avantazh që vendet prodhuese kanë që ka të bëjë me transportin. Vendet prodhuese nuk shtojnë koston e transportit që vendet importatore nuk kanë se si ta evitojnë.

Arsyeja e dytë e ngritjes së çmimit është e lidhur me zbulimet e fundit në drejtim të produkteve zvendësuese të naftës dhe produkteve të saj. Konkretisht, së fundi drithërat (misri)  po shfrytëzohen për prodhimin e etanolit një produkt që u shtohet karburanteve për ti bërë ato më ekologjke apo më të pastra për natyrën. Në Amerikën e Veriut (ShBA e Kanada) një pjesë e prodhimit të misrit është i destinuar për industrin e prodhimit të etanolit, një industri e re por që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Së fundi Kombet e Bashkuara po kundërshtojën përdorimin e drithrave për qëllime industriale. Sipas tyre, misri që destinohet për industrin pakëson ndihmat për vendet afrikane dhe të tjera vende të varur nga ndihmat ushqimore të Perëndimit.

 

A mund të reagohet ndaj ngritjes së çmimeve ?

 

Në ekonomi janë disa fenomene që nuk kanë nevojë për ndëryrje. Kështu ndodh dhe për çmimet. Njerëzit reagojnë nga instikti. Kur një konsumator shikon çmimin e benzinës të rritet, reagon dhe gjen një mënyrë për zvendësuar këtë produkt me një tjetër. Në të gjithë botën po merren masa për të evituar varësinë nga nafta dhe nënproduktet e saj. Kështu disa nga masat janë mjetet e transportit të përbashkëta (autobus, metro etj.) përdorimi gjithnjë e më shumë i biçikletës apo dhe përdorimi i makinave ekologjike.

Por shteti ka mekanizma për të zbutur efektet e ngritjes së çmimeve sidomos për të përballuar ngritjen e çmimit të karburanteve. Ndihma për transportet bashkiake, nxitja e përdorimit të mjeteve të transportit të përbashkëta duke subvencionuar këtë transpost, nxitja e bleres së automjeteve ekologjike apo që respektojnë mjedisin etj etj. Por shteti mund të nxis prodhimin e brendëshêm të produkteve që bëhen gjithnjë e më shumë tê shtrenjta si dhe modernizimi i prodhimit në sektorët që prodhimet shtrenjtohen. Por në të gjitha këto masa duhet mbajtur parasysh dhe faktor të tjerë si për shembull ruajtja e një ekuilibri midis nevojave të sotme dhe atyre të nesërme. Pra ruajtja e rezervave kombëtare sidomos në hidrokarbure. Në fushën e bujqësisë modernizimi i saj do të ishte reagimi më i mirë ndaj ngritjes së çmimeve.

 

Aje Nuro

Montreal, nëntor 2007

anuro@albemigrant.com

 

albemigrant.com ... faqja e emigratëve shqiptarë në NET
Ajet Nuro 5850 Papineau, 102
Montreal QC
H2G 3G7
C A N A D A
ajet.nuro@videotron.ca
Want to always have my latest info? Want a signature like this?

03 tetor 2007

Çfarë peshon më shumë tek ne shqiptarët, kombi apo feja ?

 

Çfarë  peshon më shumë tek ne shqiptarët, kombi apo feja ?

 

            Besoj se s'do të ketë patur ndonjë çast tjetër historik për shqiptarët si ky i sotmi, ku të peshohet për to me kandar raporti mes kombit dhe fesë, mes dashurisë ndaj asaj së cilës i lidh trashëgimia, gjaku, gjuha, historia e përbashkët e që quhet kombësi dhe mendje-animit të tyre ndaj përkatësive të tjera që quhen fetare. Në një Europë Juglindore ku kufiri midis kombit dhe fesë është jo vetëm i padukshëm por herë herë feja dhe kombi përzihen aq keq sa në vend të flasim për boshnjak të besimit mosleman, më e udhës është gjendur shprehja shtet mosleman për shtetin e krijuar pikërisht nga banorët e Bosnjës që i përkasin besimit islam. Më të paktë si numër, dy përbërësit e tjerë të popullsisë përbërëse të Bosnjës janë më shumë kroatë sesa katolikë apo më shumë serbë sesa të krishterë ortodoksë.

            Nga ky dualitet nuk bën përjashtim as Greqia si shteti më i hershëm i Eurpës Juglindore që tashmë është pjestar i Bashkimit Europian. Gjer së fundi grekërve nuk u mjaftonte të ishin veç grek, ngaqë ata shënonin në pasaportë edhe përkatësinë fetare. Bile edhe raportet ndërmjet shteteve të Europës Juglindore në pjesën më të madhe të tyre janë ndërtuar në bazë të simpative fetare. Vetëm shqiptarët bëjnë përjashtim nga rregulli. Që nga Rilindja Kombëtare shqiptare e këndej nuk mund të gjejmë ndonjë çast historik (veç periudhës komuniste) ku shqiptarët të kenë vendosur ndjenjat fetare apo ideale të tjera mbi ato kombëtare. Të paktën, shqiptarët kanë qenë gjithmonë të ndërgjegjëshem për padrejtësitë e fuqive Europiane ndaj tyre dhe gjithmonë janë simpatizuar me shqiptarët që vendimet e të tjerëve i lanë jashtë kufijëve të shtetit kombëtar shqiptar.  

            Sot, kur ka ardhur çasti i krijimit të shtetit të dytë të shqiptarëve në Europën Juglindore (që do të riparonte një pjesë të padrejtësive të bëra ndaj kombit shqiptar), beteja është zhvendosur pikërisht tek raporti komb-fe. Shqiptarët nga ana e tyre theksojnë atë që është e vërtetë: faktin që ata në radhë të parë e mbi të gjitha janë shqiptarë para se të jenë moslemanë, apo të krishterë ortodoksë e katolikë. Por të interesuarit (bizantinët serbë, grekë, etj.) dhe të painteresuarit për pavarësinë e Kosovës duan me çdo kusht të dëgjojnë ose të theksojnë pikërisht të kundërtën: që shqiptarët janë moslemanë dhe me pavarësinë e Kosovës krijohet një shtet me mbi 90 % të popullsisë moslemane. Nënkuptimi, aty ku nuk shprehet hapur, është i qartë: "Amerikanë e Europinaë! Mos krijoni një shtet mosleman në zemër të Europës, një shtet feja e të cilit është në luftë me ju...". Shqiptarët shohin tek amerikanët aleatin e tyre të natyrshëm dhe amerikanët shohin tek shqipatrët kombin më pro-amerikan jo vetëm në Europë por ndoshta në të gjithë planetin. Propaganda serbe e greke mbi fantazmën e një shteti mosleman në Europë mund të ketë ndikimet e veta, prandaj edhe nuk duhet nënvletësuar. Pra lind pyetja se sa çdo shqiptar me veprimet e tij e ndihmon çështjen kombëtare. Fatmirësisht, bizantinët nuk arrijnë të gjejnë tek shqiptarët materialin e dëshiruar për të thënë ?Hej, shikoni shqiptarët janë po aq fanatikë sa ...le të themi moslemanët arabë...?.

            Para disa kohësh bisedoja me miq shqiptare në Amerikë të Veriut rreth organizimit dhe përpjekjeve të shoqatave shqiptare për të bashkëpunuar me bashkësitë e tjera mike. Më thanë se ishte bërë një konferencë me bashkesinë hebreje në Toronto në Tetor 2005. Megjithatë, pati edhe disa shqiptarë që e kundërshtuan me "arsyetimin se hebrejtë janë duke iu bërë të këqinja moslemanëve të Palestinës"?! Më erdhi keq per këtë "arsyetim" dhe sigurisht nuk dua t'i hyj faktit se a kanë të drejtë hebrejtë apo arabët, sepse në rradhë të parë nevojitet të dihet korruposioni tepër i lartë në administratën palestineze dhe faktin që qeveria palestineze mbahet me paret e qeverisë së Izraelit, SHBA, etj. Edhe më keq, shqiptarët nuk kanë këllqe për të bërë paqe mes dy palëve. Por për të qenë i arsyeshëm, për të parë interesat tona shqiptare dhe vetëm tonat, një bashkëpunim i frytshëm me bashkësinë hebreje ka qenë gjithmonë i frytshëm dhe i dyanshëm. Prandaj krijmi i një kulture bashkëpunimi nga njerëzit e përshtatshëm që duhet të ngulitet në ndërgjegjet tona, gjithmonë duke i shërbyer interesit kombëtar, do mbetet një tregues i cilesisë së punës të shqiptarëve kudo që te ndodhen.

            Askush nga shqiptarët ne nuk ka të drejtë të bëjë moral për çështje të tilla si ajo e besimit fetar, sepse i pari dhe mbi të gjitha është besimi e interesi kombëtar; sot e mot. Para disa kohësh Telekomi shqiptar u ble nga një kompani turke. Rastësisht më ra në dorë një gazetë , organ i një shoqate bamirëse. Gazeta në fjalë që në titull shprehte një entuziazëm ekstrem tepër të madh për shitjen e kompanisë shqiptare turqve. A thua ka kaq rëndësi fakti se blerësi është mosleman, ortodoks apo katolik?! ?far do i dallonte ato nga njëri tjetri? Mendoj se e para gjë që duhet të shikohet në këto raste është interesi i vetë shqiptarëve. Shqipëria është një vend jo-fetar dhe kjo jo vetëm në letra.

            Kosova ndodhet ende në provë dhe pavarësisht nga raportet fetare, Kosova duhet të respektojë qytetarinë e banorëve të saj dhe të dijë të bëjë miq jo mbi baza fetare por mbi bazën e interesave të saj kombëtare. Udhëheqësit e sotëm shqiptarë duhet të vazhdojnë pa hezitim në këtë rrugë. Nuk ka pse të ketë hutime në këtë drejtim, sepse çdo veprim për të kënaqur egon e cekët e drejtuesve të dhënë pas përkatësisë fetare mund të dëmtojë interesat tona kombëtare. Prandaj iu takon vendim-marrësve shqiptarë që detyrimisht të veprojnë sipas interesave kombëtare  ku përmblidhen interesat e të gjithëve dhe jo sipas interesave fetare qoftë edhe kur këto të fundit duken se gjoja përfaqësojnë një shumicë relative.

 

Ajet Nuro

Montreal, Kanada

Shtator 2007

 Botuar në gazetën Republika dhe on-line tek Tribuna Shqiptare

Komente tek adresa ime personale anuro@albemigrant.com

 

                       

 

albemigrant.com ... faqja e emigratëve shqiptarë në NET
Ajet Nuro 5850 Papineau, 102
Montreal QC
H2G 3G7
C A N A D A
ajet.nuro@videotron.ca
Want to always have my latest info? Want a signature like this?

28 shtator 2007

Dioguardi : Shqiptarët kurr nuk mund të flenë gjumë...

 

Albemigrant :  Presidenti Bush premtoi pavarësi për Kosovën. A mund shqiptarët të "flejnë" tani, apo ndoshta rruga gjerë tek pavarësia e plotë nuk është përmbyllur ende?
 
Z. Dioguardi : Kur vije në pyetje liria, demokracia e vërtetë, dhe mbrojtja e identitetit kombëtar të dikujt që kërcënohet nga fqinjët e vet të cilët kanë treguar vetën si të rrezikshëm, shqiptarët kurrë nuk mund të "flejnë".  Njëri nga themeluesit e shtetit tonë, Thomas Jefferson, njëherë kishte thenë se "cmimi i lirisë është vigjilenca e përjetëshme."  Mendoj se është shumë kuptimplotë dhe e qëlluar që simboli kombëtar i shqiptarëve është shqiponja dykrenare—e kthyer në dy anët, duke shiquar në cdo drejtim—në veri e jug, në lindje e perëndim. Që nga era romake, kur ilirët, paraardhësit tonë shqiptarë, përfundimisht (pas 200 viteve) hynë në forcën marramendëse të legjioneve ushtarake të Romës në shekullin e pare para erës sonë, dhe si të tillë u bënë një pjesë e rendësishme e Mbretërisë Romake (pa lënë anash asnjëherë gjuhën dhe identitetin e tyre kombëtar), shqiptarët gjithëherë me përkushim I kanë rezistuar pushtuesit e tyre. Kush mund t'i harrojë sukseset e Gjergj Kastriotit në shekullin e pesëmbëdhjetë kundër turqëve otomanë?  Edhepse pas vdekjes së tij më 1468, pas së cilës turqit morrëm hov dhe pushtuan Shqipërinë më 1488, mbrojtja e mencur e Kastriotit për 27 vjet kundër ushtrive të sulltanit kishe dobësuar thellësisht Mbretërinë Otomane dhe si pasojë I kishe pamundësuar asaj pushimin e Evropës Perëndimore.  Dhe, kush mund të harrojë Ded Gjo Lulin, Azem Galicën, Ismail Qemalin, Ipeshkv Fan Nolin, Faik Konicën, Sami dhe Naim Frashërin, Nënën Terezë, Adem Jasharin, apo Ramush Haradinajn dhe UCK-në? Këta dhe shumë patriotë tjerë kanë dhënë shembullin që duhet ndjekur nga të gjithë shqiptarët—të involvohen disi për të kompletuar lirinë e popullit shqiptar—vecanërisht tani kur SHBA-te në mënyrë active po përkrahin pavarësinë e Kosovës edhe përkundër makinacioneve gjeopolitike të Rusisë, Serbisë, Greqisë, dhe disa vendeve evropiane.  Ne nuk duam të shohim një shtet të Kosovës të kompremituar nga Evropa që do të ishte një shtet i dështuar, i ndarë në vija etnike sikur Bosnja, që do të arrinte askund, përveq në degradim të mëtutjeshëm ekonomik dhe politik.

Të plotë intervistën mund ta lexoni në këtë adresë ku do të gjeni dhe disa video interesante:
 
Intervistën në anglisht mund ta lexoni në gazetën Illyria që botohet në New York
 
Për çdo koment më kontaktoni në e-mail anuro@albemigrant.com
 
Ajet Nuro
albemigrant.com ... faqja e emigratëve shqiptarë në NET
Ajet Nuro 5850 Papineau, 102
Montreal QC
H2G 3G7
C A N A D A
ajet.nuro@videotron.ca
Want to always have my latest info? Want a signature like this?

11 qershor 2007

Bushi në Tiranë, festë në Montreal, Kanada

 
Bushi në Tiranë, festë në Montreal,  Kanada

Nga Ajet Nuro

anuro@albemigrant.com

Montreal, Kanada, 10 qershor 2007


Ndoshta 8 vjetë më parë në atë ditë historike të kapitullimit të Serbisë dhe çlirimit të Kosovës nuk e kishim menduar se do ti ktheheshim të njëjtit shesh që na ka mbledhur para tetë vitesh përgjatë luftës në Kosovë. Këtë herë përvjetori i tetë perkonte dhe me vizitën historike të presidentit amerikan George W. Bush në Tiranë, e para e një presidenti amrikan në funksion në vendin e shqipeve. Me ftesën e Bashkësië shqiptare në Montreal, një grup shqiptarësh u takuan në "Place des Arts" në Montreal për të përkujtuar ditën historike të 10 qershorit 1999, për të falenderuar Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, vendet e NATO-s për atë çka ata bënë për Kosovën

në vitin 1999 dhe mbi të gjitha për të falenderuar Shtete e Bashkuara dhe presidentin Bush për mbështetjen që po i japin pavarësisë së

Kosovës. Edhe natyra i dhuroi kësaj dite gjithçka; diellin e ngrohtësinë si për të treguar se lotët e tetë viteve më parë i kanë lenë

 

 

vend gëzimit të lirisë dhe pavarësië së plotë që po e presim. Dhe nuk ishin veç ata që mblidheshin para 8 vjetësh për të shprehur përkrahjen e tyre me popullsinë e Kosovës viktimë gjenocidit serb. Fotografitë e më poshtëme e tregojnë një gjë të tillë. Të paktën njëri prej tyre nuk ishte as në projekte...

 

 

Shikoni pra një flamirtarë të vërtetë.  Gjatë gjithë mitingut vogëlushi nuk reshtëte së valvituri flamurin. Ja pra me se do të krenohemi nesër. Janë këta fëmijë që nesër do jenë krenar për atdheun e tyre që ndonjëherë edhe nuk e kanë parë me sy. Duke marr pjesë në aktivitete ata do të bëhen më të afërt me Shqipërinë dhe Kosovën dhe me gjithshka që përfaqëson fjala at'dhe.

Ndësa Jozef është veç 3 vjeç por është duke krijuar ndjenjat patriotike. Ja pra një ditë që këta manifestues të vegjël do ta mbajnë mend gjithë jetën. Nuk besoj se ka shkollë më të mirë për ta.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Qëllimi i këtij aktiviteti nuk ishte vetëm festimi i arritjeve që Kosova ka mundur të bëjë por edhe për të nxitur administratën amerikane për të çuar gjer në fund projektin e një Kosove të pavarur

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kulmin manifestimi e arriti para konsullatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Montreal. Aty foli zoti Mehdi Isufi që falenderoi Shtetet e Bashkuara për ndërhyrjen që bënë në Kosovë dhe theksoi rolin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të pavarësisë së

 

Kosovës. Edhe të tjerë manifestant shprehën mirënjohjen e tyre për rolin e Shteteve të Bashkuara. Kujtimet e para 8 vjetësh u përzian me lajmet e ditës pra me lajmet rreth vizitës së George W. Bush në Shqipëri dhe pritjen aq të ngrohtë që shqiptarët i rezervian atij.

Në mbar vajtjen e aktivitetit duhet përmendur pna përgatitore e kryetarit të Bashkësisë shqiptare të kebekut në Montreal zotit Lulëzim Laloshi si dhe të aktivistit të kësaj bashkësie zotit Agron Muhaxhiri.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ajo që të binte në sy dhe që ia vlen të shënohet është ajo ndjenjë krenarie e të qenit shqiptar dhe e të qenit mik i privilegjuar i fuqisë më të madhe të planetit Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

 

 

 

 

 

 

 

Më poshtë fotot që po ju paraqesin nuk kanë nevojë për koment ;

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Komente : anuro@albemigrant.com

Foto nga aktiviteti mundi gjeni duke klikuar këtu :

http://www.albemigrant.com/fotoalbum/thumbnails.php?album=13&page=2

Lexoni për të njëjtën temë : http://tribunashqiptare.albemigrant.com/index.php?action=fullnews&id=152

12 shkurt 2007

FMN-ja paralajmëroi me kohë për rrezikun e fajdeve

FMN-ja paralajmëroi me kohë për rrezikun e fajdeve

Nga Bashkim Kopliku

[Gazeta Shqiptare, 12-13.2.2007]

FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar) ka paralajmëruar për rrezikun e fajdeve, që në 1995, e vazhdimisht deri në kolapsin total të tyre.  Por ky fakt është mohuar vazhdimisht nga fajtorët kryesorë të fajdeve, qeverisja e kohës, me në krye presidentin e kohës.  Atyre u leverdiste të bënin bashkëfajtore edhe FMN-në, që të shpërndahej faji i tyre.

Për të kuptuar se si qëndron e vërteta me FMN, duhet të bëjmë një historik të shkurtër për lindjen e fajdeve tek ne.

 

Fillim i fajdeve dhe FMN-ja

Marrja e dhënia e parave me fajde filloi të përhapej që në fillim të vitit 1992, në formën e marrëdhënieve në mes personave të njohur, miq, komshinj, shokë, familjarë e farefis.  Kështu, "një person që kishte para ua jepte borxh me interes personave të njohur që kishin nevojë për të investuar".  Ekonomia private po zhvillohej me shpejtësi, kurse bankat dhe institucionet kredi-dhënëse ishin të gjitha shtetërore dhe të paafta për të dhënë kredi, apo nuk kishin vitalitetin e tregut privat.  Pra vendit, ekonomisë i mungonte një infrastrukturë financiare.

Që nga viti 1992, e deri nga fundi i vitit 1994, fenomen i dhënies së parave me fajde, mbeti "në mes të njohurish", i shpërndarë në qindra e mijëra njerëz.. Numri i personave që jepnin para ishte shumë i madh dhe sasitë e parave për një person, ishin relativisht të vogla.  Ishte një treg informal, por që siç thamë, po kompensonte mungesën e tregut privat të kredi-dhënies.  Me kohë shumë persona panë se mund të merrnin lekë borxh, p.sh. me 3% në muaj dhe ta jepnin me 7% në muaj, duke fituar kështu 4%.

Gjatë kësaj periudhe (1993-94), unë isha zëvendëskryeministër i ngarkuar për reformën ekonomike.  Shpesh kam biseduar për fenomenin e fajdesë, me përfaqësuesin e FMN-së në Shqipëri Wei Ding, me të cilin takohesh pothuaj përditë.  Duhet thënë se Wei Ding ishte një gjeni i financës dhe ekonomisë, me njohje të thella teorike dhe praktike; ai ishte dhe një njeri i prirur që ekonomia e vendit të zhvillohej me shpejtësi, shpesh në kundërshtim me ndonjë qëndrim burokratik, edhe të shefave të tij në Uashington.  FMN-ja ishte e njohur si një organizëm shumë i rreptë në zbatimin e rregullave thjeshtë financiare, mbase ndonjëherë edhe jo aq në përputhje me nevojën e zhvillimit të shpejtë të ekonomisë së vendit: pra i frynte kosit, meqë kishte eksperiencën e djegies nga qulli. 

Të vijmë tek fajdetë.  Mendimi ynë, i Wei Ding dhe imi, ishte se fenomeni nuk paraqiste problem të madh, përderisa kishte përmasa të vogla, si dhe meqë bëhej në mes të njohurish, gjë që kompensonte "alla shqiptarçe" garancitë bankare të nevojshme në dhënie-marrjen e parave borxh.  Por gjithnjë kemi biseduar se fenomeni duhej mbajtur nën kontroll.  Në fakt, që ato kohë filluan të shiheshin shenjat e para të agravimit të rrezikshëm të sëmundjes së fajdeve: kishte disa arratisje të personave që kishin marrë para me fajde, e nuk i lanin dot.  Të dy ne ishim dakord se fenomeni ishte një e keqe që do të shmangej me krijimin e tregut kredi-dhënës privat.  Kreditë e sistemit bankar shtetëror kishin rezultuar katastrofike, si rezultat edhe i ndërhyrjeve klienteliste politike.  Nga ana tjetër, privatizimi i bankave pengohej edhe për arsye politike: ata që ishin bërë gati për të hapur banka private, ishin të lidhur me PS-në, dhe jo me PD-në.  Ky ishte realiteti!

Pas humbjes së Referendumit të 1994 nga PD, nga mesi i vitit 1995, filluan të dalin firmat e para që jepnin e merrnin para me fajde ndër persona krejt të panjohur. Krimi e nuhati dobësimin e shtetit, nga humbja e Referendumit të vitit 1994 dhe nga Lindja e Idesë për ta mbajtur pushtetin me dhunë. Krimi nuhati se "politika nuk e ka mendjen tek ai" dhe krimi e ndjeu veten të lirë të veprojë. Në këtë periudhë filloi shqetësimi i organizmave ndërkombëtare dhe filluan përpjekjet e tyre këmbëngulëse për rregullimin e situatës.

 

FMN, masa drastike kundër fajdeve, që në fundin i viti 1995

Situatën e fajdeve tashmë e ndiqja si deputet dhe si shef i departamentit të ekonomisë të PD-së—nuk isha më kryeministër, dhe Wei Ding i FMN-së, ishte transferuar nga Shqipëria.  Sidoqoftë, nuk ishte më detyrë imja e përditshme, por e konstatoja se situata ndiqesh me këmbëngulje nga FMN.  Bile, nga fundi i vitit 1995, delegacioni i FMN-së, e kishte lënë "me shkrim" marrjen e masave drastike për ndërprerjen e fenomenit, në të kundërt rrezikohesh ndërprerja e marrëdhënieve të FMN-së me shtetin tonë.  Qe ky ultimatum, kjo këmbëngulje e FMN-së, që detyroi Kuvendin të miratojë Ligjin e ri për Bankën, nga fillimi i vitit 1996.  Ky ligj ndalonte përfundimisht fajdetë, sepse ndalonte marrjen e parave borxh ne publik nga çdo lloj institucioni, përveç bankave të licencuara.  Ligji i Bankës u aprovua, por Fajdetë vazhduan të zhvillohen pa i prekur njeri.  

Kjo liri e thyerjes së ligjit justifikohej me shprehje të tipit "të mbarojnë zgjedhjet pa i rregullojmë".  Fajdexhinjtë u bënë me më tepër bodigardë se Presidenti, filluan t'i merrnin me të mirë të gjithë politikanët e PD dhe PS.  Nuk guxonte njeri t'i prekte se i mbronte edhe "Rilindja Demokratike" e PD, edhe "Zëri i Popullit" i PS.  Natyrisht, FMN nuk urdhëron në Shqipëri, ajo vetëm këshillon, e nuk i do vënë faji asaj se ne shqipot nuk zbatojmë ligjin.  Zgjedhjet e majit 1996 po afronin dhe kandidatët u lidhën ngushtë me firmat piramidale; e natyrisht më tepër kandidatët e partisë në pushtet, PD, se sa ata të PS.  Krimi i serviloset më të fortit, e PD dukej më e forta.  Natyrisht, për moszbatimin e ligjit mbante përgjegjësi Qeveria, që ngarkohej për ta zbatuar ligjin, e jo Banka e Shqipërisë, e cila sinjalizonte, por nuk ishte organ ekzekutiv dhe nuk kishte asnjë mundësi të vepronte kundër firmave piramidale, përveçse mos t'u jepte licencë banke.  (Po e theksoj këtë fakt, që lexuesi të mos gënjehet nga zërat që ngarkojnë me faj që nuk i ka, Bankën e Shqipërisë. I vetmi faj që kishte është që nuk doli publikisht, që në fillim të vitit 1996, por doli vetëm "pas zgjedhjeve").

Zgjedhjet e 26 majit 1992, i fitoi PD-ja, me vjedhjen e madhe të tyre.  Por asgjë nuk po bëhej për zbatimin e Ligjit për bankat.  Fajdetë vazhdonin të bënin kërdinë.  Përgatiteshin zgjedhjet lokale, të 20 tetor 1996, të cilat duheshin fituar "pa hile", se komuniteti ndërkombëtar e kishte marrë seriozisht të mos na lejonte të vidhnim më.  Që votuesit të na jepnin votën, qeverisja e PD-së stimuloi në kulm aktivitetin e fajdeve.  Por le të kthehemi tek FMN-ja, se këtu e kemi fjalën.

Organizmi që "u çmend fare me qeverinë tonë" ishte FMN-ja.  Delegacionet e saj venin e vinin, por qeveria jonë veçse i sorollaste.

 

Ultimatumi i shtatorit 1996

Prapë një ultimatum i FMN-së i shtatorit të 1996.  FMN i dërgoi një raport Qeverisë shqiptare, ku i kërkon të mbyllen me urgjencë fajdetë.  Ky raport filloi të depërtojë në publik vetëm nga tetori i 1996-s, e bile u kritikua si teorik, si "kundërshtar i zhvillimit të vullshëm të ekonomisë dinamike shqiptare, edhe nga qarqe e institute shkencore, që i serviloseshin pushtetit politik.  Në këtë raport kërkohej prerazi që shteti shqiptar të merrte masa kundër fajdeve, se përndryshe do të shkatërrohej—kini parasysh se jemi disa muaj para fillimit të protestave anti-fajde, dhe kur fajdetë akoma nuk kishin arritur ato përmasa të tmerrshme që morën në tetor 1997, në prag të zgjedhjeve lokale.

Le të citojmë se ç'thuhej në raportin e FMN, të shtatorit të 1996. 

 "..Ka shumë pak të ngjarë që përqindje të tilla të dhëna nga institucione financiare jo zyrtare (firmat e fajdeve), të mund të realizohen vetëm nga veprimtari reale ekonomike dhe ka të ngjarë që pas tyre të ketë veprimtari ilegale, përfshirë [...] skemat piramidale".  

Më tej: " kolapsi i skemave piramidale është i pashmangshëm dhe pasojat fiskale, për rrjedhojë ato makro-ekonomike, do të jenë tepër të ashpra". [...] Familjeve dhe ndoshta edhe disa bizneseve do t'u zhduken kursimet e tyre, gjë që do të rezultojë në një dëmtim të ndjeshëm të ekonomisë".  [...] Qeveria duhet të nisë hetime zyrtare mbi këto skema [...]  Ndryshe marrëdhëniet e FMN-së me Shqipërinë janë në pikëpyetje.  [...] Kolapsi është në prag.  [...]  Do të jetë më mirë, në rast se kolapsi ndodh sa më shpejt, pasi humbjet do të jenë më të vogla.  [...] Kur të përmbysen këto skema, ato do të thithnin edhe kursimet"

Më troç nuk mund të flitet, por njeri nuk vinte vesh. 

 

Ministri lëpin paralajmërimin që u bëri shqiptarëve

Ministri i financave Ridvan Bode, kur u kthye nga Uashingtoni, ku ishte takuar me FMN-në, më 7 tetor 1996, doli në një intervistë televizive, dhe tha:

"Fitimet e ofruara janë aq të mëdha, saqë ato ngrenë dyshimet mbi kapacitetet e kompanive për të kthyer huat". [...] "Shumë shpejt ne do të përcaktojmë kontekstin ligjor për të mbikëqyrur këtë rrjet dhe për të zyrtarizuar atë, duke minimizuar rrezikun e falimentimit (potencial)"

Nga këto gjysma fjalësh, u çmend populli, por edhe qeverisja.  E mbytën ministrin, që nga presidenti: "ky do të na humbë zgjedhjet lokale!".  Të nesërmen z.Bode, si ushtar i bindur, doli prapë para publikut dhe lëpiu atë që kishte thënë, duke e "shpjeguar më mirë", duke e bërë zero paralajmërimin e tij të "një dite përpara":

"Më kanë keqkuptuar.  Nuk ishte ai mesazhi që dëshiroja t'i transmetoja publikut.  Intervista nuk është transmetuar e plotë", intervistë në këmbë".

Kjo u hapi rrugë firmave të fajdeve, që ta bënin ministrin aleatin më të fortë të tyre. Piramidalët morën revansh.  Ja një kronikë e shkurtër e pasojave të lëpirjes së ministrit:

Më dt.. 8.10.96, Interesat e fajdeve shpallen në shtyp: 8 deri 25 përqind në muaj"; dt. 8.10.96, f.f. "Sudja": "Mos pyetni për FMN.  Nesër do t'ju jap 6 përqind më shumë"; dt. 9.10.96, "Kamberi" e "Sudja" rrisin interesat në 10 dhe 16% në muaj!;

U sigurua që mos të dëgjohej porosia e FMN-së, dhe populli e fjeti mendjen: qeveria e siguroi se fajdetë janë të sigurta.

 

 

Paralajmërimet e FMN në nëntor 1996

FMN, edhe muajt në vijim, vazhdon të përpiqet, me delikatesën e mosurdhërimit të qeverive që asiston, t'i bëjë të reflektojnë qeveritarët tanë, por gjithnjë a i zëvendësuan ata, sepse kështu është mandati i FMN.  Delegacioni i FMN ndenji disa ditë në Tiranë, bisedime sekrete me qeverinë.  Kjo, gjatë javës së dytë e të katërt të nëntorit 1996. 

Por ja reagimet e fajdexhinjve:

"Vefa," "FMN të na lërë rehat, nuk pastron dot as rrugët"

"Kamberi": "Këshillat e FMN kanë dështuar në lindje; Shqipërinë e bëjmë vetë"

Ja dhe reagimet e presidentit Berisha:

"Prononcimi për shtyp i presidencës mbron firmat: "firmat joformale kanë investime serioze në sektorë të rëndësishëm fitimprurës të ekonomisë"

Ja reagimi i ministrit të financave Bode, i cili kundërshton delegacionin e FMN, duke thënë se shteti është dorëjashtë në këtë aktivitet:

"Kur falimentojnë privatët, e mbajnë përgjegjësinë vetë privatë për mosmenaxhimin si duhet të aktivitetit të tyre"

Por ja dhe reagimet e vetë kryeministrit, pak më vonë, në një intervistë tek Gazeta Shqiptare, në prag të vitit të ri, më 29.12.96:

"Me një veprimtari të mirë investuese dhe prodhuese, ekziston mundësia që disa nga këto kompani [firmat e fajdeve-sh.BK] do të mund të vjelin aq të ardhura nga investimet sa për të kompensuar detyrimet ndaj depozituesve duke u konvertuar gradualisht në biznese normale"

 

Takimi im me FMN në prag tË Kolapsit

Në atë kohë, delegacioni i FMN më ftoi për "një darkë pune" në restorant Piaza.  Unë isha shmangur nga ministria e financave nga takimi me ta—isha kryetar i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Financave dhe të Privatizimit!—meqë unë isha kthyer në "armiku i partisë", sepse isha për masa drastike për fajdetë. 

Anëtarët e delegacioni ishin krejt të prerë, ndjeheshin krejt të pafuqishëm, bile mundoheshin të mos gjenin ndonjë gjë racionale në qëndrimin e zyrtarëve shqiptar që kishin takuar, por ishte e kotë: "në Shqipëri nuk kishte përse të bënte vaki një çudi për herë të parë në botë?!" 

Kërkuan mendimin tim, dhe ua dhashë prerazi: "Firmat piramidale duhen bllokuar, paratë u duhen shpërndarë njerëzve e së pari atyre që kanë futur nga pak, e që janë shumica, e pastaj duhen shitur të gjithë pasuritë e tyre dhe kthyer në para që edhe ato të shpërndahen.  Nuk ka zgjidhje tjetër me situatën që vlon në popull.  Në të kundërt, ka rrezik të shkatërrohet i gjithë vendi.  ".  Më shihnin të zgërlaqur, sikur donin të thoshin: "kjo qeveri nuk e bën këtë".

Mendoj se ata specialistë të financave të FMN-së, e kishin bërë të tyren, por ishte qeverisja shqiptare që nuk donte të dëgjonte.  Megjithatë, FMN vazhdoi të bëjë presion mbi qeverisjen shqiptare për marrje masash për të shmangur kolapsin e plotë, por tashmë më kot: asnjeri nuk ia vinte veshin, relatat ishin pothuaj të prera.

 

Bashkim Kopliku

8.2.2007